Shqipëria ka regjistruar mbi 2.4 milionë hyrje të shtetasve të huaj vetëm gjatë muajit gusht 2026, duke konfirmuar fluksin e lartë të vizitorëve gjatë kulmit të sezonit veror.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë gushtit në vend hynë 2,429,532 shtetas të huaj, nga 2,381,864 në gushtin e vitit të kaluar. Në terma vjetorë, hyrjet e të huajve u rritën me 2%, ose me rreth 47.7 mijë hyrje më shumë.
Rritja e gushtit e çoi në 9,443,700 numrin e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë periudhës janar–gusht 2026. Krahasuar me 8,969,002 hyrje në të njëjtën periudhë të vitit 2025, rritja është 5.3%.
Në terma absolutë, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 475 mijë hyrje të huajsh më shumë se një vit më parë.
Shifrat e INSTAT i referohen hyrjeve në pikat kufitare dhe jo numrit të individëve unikë apo domosdoshmërisht turistëve. Një person që hyn disa herë në Shqipëri regjistrohet çdo herë si një hyrje e re.
Në total, duke përfshirë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, gjatë gushtit 2026 u regjistruan 3,459,588 hyrje në Shqipëri, 2.7% më shumë krahasuar me gushtin 2025. Për periudhën janar–gusht, hyrjet totale arritën në 15,452,553, me rritje 5.6% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, në rritje kanë qenë edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Vetëm gjatë gushtit, nga Shqipëria dolën 1,054,978 shtetas shqiptarë, kundrejt 994,573 në gusht 2025. Kjo përfaqëson një rritje vjetore prej 6.1%, ose rreth 60.4 mijë dalje më shumë.
Për të gjithë periudhën janar–gusht 2026, daljet e shtetasve shqiptarë arritën në 6,037,056, nga 5,765,761 në tetëmujorin e vitit të kaluar. Rritja është 4.7%, që në vlerë absolute përkthehet në rreth 271 mijë dalje më shumë./ekofin.al

