Agjencia e Statistikave të Kosovës në të dhënat e fundit ka bërë të ditur se 182 mijë e 849 është numri i banesave që janë të pabanuara në të gjithë Kosovën.
Bazuar në këto të dhëna, të cilat kanë dalë nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2024, komuna e Prishtinës e ka numrin më të madh të banesave të pabanuara, gjithsej 25 mijë e 195 sosh, e pasuar nga ajo e Prizrenit me 16 mijë e 842 dhe Ferizaj, me 15 mijë e 228.
Krahasuar me regjistrimin e fundit të popullsisë më 2011, shifra e banesave të pabanuara është rritur për 83 mijë e 041.
Sipas agjencisë, të dhënat e fundit ofrojnë pasqyrë të detajuar mbi ndryshimet demografike në Kosovë.
“Këto të dhëna ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi popullsinë, grupmoshat, gjininë dhe ekonomitë familjare, duke ndihmuar në analizimin e ndryshimeve demografike ndër vite. Këto të dhëna ofrojnë karakteristika për vendbanimet, statusin e aftësisë së kufizuar, ndërtesat, banesat e ekonomitë familjare si dhe edukimin”, thuhet në njoftim.