Mbi 156 mijë mjete janë paraqitur për të kryer kontrollin teknik, nga të cilat rreth 27.8 % janë refuzuar duke u dërguar për riparime, shërbime, montim pjesësh përgjatë periudhës qershor-tetor 2021.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën të ditur se nga data 31 maj, deri në fund të tetorit janë paraqitur për testim mbi kontrollin teknik 156,254 mjete, nga të cilat 69.4 % automjete, 19 % kamionë, 5.7 % motomjete, 3.1 % autobusë, 2.4 % rimorkio dhe 0.4 % mjete ndërtim/punë toke.
“Rrugë e qytete më të pastra dhe më të sigurta, sepse mjetet e rrezikshme për jetën e drejtuesve të mjeteve, por edhe të pasagjerëve e përdoruesve të tjerë të rrugës nuk e kalojnë dot më testin e kontrollit teknik”, bën të ditur DPSHTRR.
Po ashtu, DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve të riparojnë në afat ligjor mjetet e tyre dhe ti kontrollojnë ato para se të dalin në rrugë, pasi Kodi Rrugor i bën ata përgjegjës nëse dalin në qarkullim me mjet me mangësi teknike ose funksionale.
DPSHTRR kujton se për këtë ka edhe penalizime që janë masa, gjoba, pezullim licencash dhe deri në nxjerrje të përhershme të mjetit nga qarkullimi.