Reduktimi i çështjeve të prapambetura mbetet një prej sfidave më të mëdha të sistemit gjyqësor shqiptar. Efektet e Reformës në Drejtësi (Vettingu) dhe shkarkimi i një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh ndikuan gjithashtu në numrin e lartë të këtyre çështjeve.
Në vitin 2023, 113.768 çështje u konsideruan në pritje për shqyrtim në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ, Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën Administrative të Apelit. Po në këtë vit, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultojnë të jenë gjykuar/shqyrtuar (me vendim përfundimtar) 51.158 çështje gjyqësore.
Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2024-2030, tashmë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, synon të ulë numrin e lartë të këtyre çështje përmes një plani veprimi.
Sipas dokumentit, deri në fund të vitit 2026 garantohet reduktimi progresiv i çështjeve të mbartura (30% për çështjet civile dhe tregtare të gjykatës së shkallës së parë juridiksioni i përgjithshëm; 20% për çështjet penale; 25% për çështjet e gjykatës së apelit; 35% për çështjet e gjykatës administrative brenda) dhe në vitet në vijim sigurohet mbajta ose rritja e standardit.
Nga ana tjetër, sipas Strategjisë Kombëtare për Uljen e Çështjeve të Prapambetura në Gjykata 2024-2027, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, të gjitha çështjet në pritje mund të zgjidhen në 2025/2026.
Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, volumi i çështjeve të prapambetura do të ulet me 20 – 30% (pakësim me 10.000 deri në 15.000 çështje). Në Gjykatën Administrative të Apelit, volumi i çështjeve të prapambetura do të ulet me 25% (pakësim i prapambetjes me 5000 çështje).
Plotësimi me gjyqtarët e munguar
Për arritjen e këtij qëllimi disa nga faktorët më të rëndësishëm janë plotësimi i numri të gjyqtarëve, më konkretisht në 70 gjyqtarë në vitin 2026 në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nga 49 që ushtrojnë funksionin aktualisht. Numri i gjyqtarëve në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, të arrijë numrin e 16 gjyqtarëve në vitin 2026 dhe 19 gjyqtarë (trupa e plotë gjyqësore) në vitet 2027- 2028.
Numri i gjyqtarëve në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të arrijë numrin e 60 gjyqtarëve në vitin 2026 dhe 78 gjyqtarë (trupa e plotë gjyqësore) në vitet 2027-2028.
Gjykata Administrative e Apelit do të ketë nevojë për të paktën 19 pozicione gjyqtarësh (krahasuar me 13 pozicione që ka aktualisht), si mekanizmi kryesor i ekuilibrimit të ngarkesës së gjykatës dhe vetë gjyqtarëve, duke siguruar një rishpërndarje të drejtë të ngarkesës së gjyqtarëve në juridiksion apeli.
Zgjidhje për urdhrat e ekzekutimit
Sipas të dhënave statistikore të Gjykatës së Shkallë Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, urdhrat e ekzekutimit që janë lëshuar për titujt ekzekutivë nga kjo gjykatë përbëjnë gjithsej 41,2 % të numrit të çështjeve të shqyrtuara nga gjyqtarët e kësaj gjykate.
Në vitin 2023, urdhrat e ardhur për shqyrtim (së bashku me urdhrat e mbartura për shkak mosshqyrtimi nga viti pararendës) përbëjnë 33 % të çështjeve gjyqësore të prapambetura.
Kjo situatë e jashtëzakonshme, kërkon ndërhyrje edhe të natyrës legjislative me qëllim që të ulet numri i çështjeve të tilla të prapambetura dhe të parandalohet shtimi i tyre në të ardhmen, thuhet në Strategji. Për këtë qëllim janë hartuar propozime konkrete për ndryshim e Kodit të Procedurës Civile. Heqja e asaj pjese të urdhrave të ekzekutimit, të cilat referuar përmbajtjes së tyre dhe zhvillimeve të fundit të legjislacionit të BE-së dhe standardeve të CEPEJ nuk kanë nevojë për shqyrtim gjyqësor paraprak për lëshimin e tyre, do të ulte ngarkesën e punës së gjyqtarëve dhe do të rrisë efikasitetin, duke u lejuar atyre të gjykonin çështje themeli të një natyre më komplekse.
Gjithashtu, një synim ambicioz i Strategjisë 2024-2030 është që deri në fund të vitit 2030, krahasuar me vitin 2024, 30% me shumë e çështjeve të referuara nga gjykatat, do të zgjidhen me ndërmjetësim, duke forcuar kështu efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të ndërmjetësimit në trajtimin e çështjeve gjyqësore.
Viti 2030 parashikohet edhe si viti i digjitalizimit të plotë të arkivave të gjykatave që do të modernizonte systemin gjyqësor, do të lehtësonte aksesin në document dhe do të përmirësonte efiçencën e menaxhimit të çështjeve./ekofin.al