Shmangia e detyrimeve doganore dhe kontrabanda e mallrave përfshirë edhe ato për të cilat paguhet akcizë, fshehja e të ardhurave, mosdeklarimi i cash-it etj., kanë qenë disa prej veprave penale të cilat janë referuar në Prokurori nga Hetimi Doganor.
Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2024, Doganat kanë referuar 33 kallëzime penale në Prokurori për veprat e mësipërme. Njëkohësisht, autoritetet doganore kanë konstatuar 14 shkelje me kundërvajtje administrative, si dhe 87 raste shkeljeje doganore kontrabandë me detyrim doganor të shmangur mbi 32 milionë lekë dhe penalitete mbi 117 milionë lekë.
Nga leximi i shifrave rezulton se detyrimi i shmangur kap vlerën e 33 milionë lekëve, ndërsa penalitetet llogariten në rreth 120 milionë lekë, duke e çuar vlerën totale të detyrime doganore mbi 153 milionë lekë.
Kapjet Cash sipas hyrje-daljeve
Të dhënat tregojnë se për vitin 2024 janë regjistruar 40 raste kapje/mosdeklarimi cash-i (23 raste në hyrje dhe 17 raste në dalje), të cilat kryesohen nga euro. Vendin e dytë e kryeson paundi britanik, ndjekur nga dollari amerikan dhe krona norvegjeze.
Numri më i lartë i mosdeklarimeve Cash sipas pikave kufitare i përket degës doganore Kakavijë me 11 raste, ndjekur Morinë me 9 raste, Rinas me 8 raste, Durrës me 6 raste, Kapshticë me 3 raste, Muriqan me 2 raste dhe Vlorë me 1 rast.
Në hyrje sasia e euros së padeklaruar rezulton mbi 1 milion euro ndërsa në dalje 304 mijë euro, ndërsa sasia e paundit britanik në hyrje është 221 mijë dhe në dalje 85 mijë.
Lufta kundër veprimtarive të tjera të paligjshme
Nga veprimtaria e vitit 2024 është bërë arrestimi në flagrancë i 5 shtetasve të Republikës së Kosovës të cilëve u janë sekuestruar 300, 000 euro dhe 1.057.840 kokrra ilaçe (Pseudoephedrine) me peshë totale 417.1 kg, të cilat janë lënë në ruajtje në Degën Doganore Rinas. Ndërsa 2 shtetas të tjerë u arrestuan dhe iu sekuestruan 5 kg lëndë narkotike cannabis sativa me vlerë tregu 90 000 euro.
Gjithashtu dogana bllokoi 10 mijë kg çamçakëza të importuar nga Kina të markës “Orbit”. Kjo sasi u konfirmua se ishte e falsifikuar dhe mund të rezultonte e dëmshme për shëndetin.
Po ashtu, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit është zhvilluar operacioni për goditjen e kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të produktit “Botulinum toxin”, i njohur si “Botox”. Janë proceduar penalisht administratorët e disa klinikave estetike, pasi dyshohej që produkti “Botulinum toxin” që u gjet në klinikat e tyre, ishte i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar. /ekofin.al
