Qeveria i jep një rol të ri AKEM-it. Përmes disa shtesave në vendimin “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve inerte”, qeveria i jep më shumë kompetenca Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), e krijuar në vitin 2024.
Ndryshimet zgjerojnë ndjeshëm rolin e AKEM në drejtim të menaxhimit të mbetjeve inerte, duke e pozicionuar atë si një aktor kyç në menaxhimin publik të venddepozitimeve të përkohshme. Kjo do të thotë se Agjencia mund të ndërhyjë direkt në ofrimin e zgjidhjeve për depozitimin e mbetjeve të ndërtimit, riparimit apo prishjes së objekteve.
Për venddepozitimet e përkohshme të administruara nga subjekte private, AKEM ka kompetencë mbikëqyrëse dhe përgjegjësi për ndjekjen e funksionimit në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në rast shkeljesh, ajo mund të aplikojë masa administrative sipas legjislacionit mjedisor.
Gjithashtu, AKEM ka të drejtën të kërkojë informacion nga bashkitë për pasuritë e përcaktuara për venddepozitim, dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Kadastrës të vlerësojë gjendjen juridike të tyre. Më pas, ajo mund t’i marrë në administrim këto prona përmes vendimeve të posaçme për ndryshim të administrimit, në rastet kur prona është shtetërore apo të lidhë edhe marrëveshje me bashkitë, në rastet kur prona u është transferuar atyre.
AKEM, si dhe operatorët privatë, kërkojnë nga bashkitë miratimin e tarifave për venddepozitimin e mbetjeve inerte, pa pasur nevojë për ndryshim të planit të përgjithshëm vendor. Pas kësaj, lejet përkatëse miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.
AKEM duhet të njoftohet nga subjektet zhvilluese kur ato ndryshojnë vendin e depozitimit të inerteve pas marrjes së lejes së ndërtimit. Po ashtu, ajo bashkëpunon ngushtë me institucionet përkatëse për lejet territoriale.
Venddepozitimet e përkohshme miratohen me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Një tjetër shtesë ka të bëjë me inertet që krijohen nga ndërtimi.
Sipas pikës së re 8/1, mbetjet inerte të krijuara nga projekti i ndërtimit, i riparimit, i restaurimit apo i prishjes së objektit ripërdoren për ndërtim, nëse janë të përshtatshme për këtë funksion. Nëse mbetjet inerte të krijuara në sheshin e projektit ripërdoren në shesh ndërtimi tjetër apo nëse ruhen përkohësisht në një vend tjetër deri në ripërdorimin e tyre, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet dokumentacionin e mëposhtëm, sipas rastit:
-Kur inertet ripërdoren për qëllime ndërtimi nga vetë subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit, por në një vend tjetër, ai paraqet deklaratën personale për qëllimin e përdorimit së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
-Kur inertet ripërdoren për qëllim ndërtimi nga të tretë në një vend tjetër, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet marrëveshjen (kontratën) e lidhur me ta për këtë qëllim, së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
-Kur inertet ruhen përkohësisht në një vend tjetër përpara ripërdorimit të tyre për qëllime ndërtimi, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet marrëveshjen me operatorin për depozitimin e inerteve përkohësisht në një venddepozitim të përkohshëm, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi.
Nëse ato do të ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim; ose deklaratën për depozitimin përkohësisht, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi, në një pasuri të paluajtshme në pronësi të tij, ose marrëveshjen me pronarin, kur pasuria nuk është në pronësi të tij, të shoqëruara me kopje të kartelës së pasurisë.
Në çdo rast, pasuria të përmbushë kriteret e përcaktuara dhe depozitimi sipas kësaj nënndarjeje nuk mund të zgjasë më shumë se 180 ditë. Nëse mbetjet inerte ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim.
Gjithashtu, operatorët privatë, para marrjes së lejes së ndërtimit për venddepozitim të përkohshëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duhet të depozitojnë një garanci financiare/bankare për të mbuluar kostot e ndërtimit, të operimit, të mbylljes e të kujdesit të mëtejshëm të landfill-it pas mbylljes së tij, përfshirë pagesën e garancisë për kostot e mbylljes së tij, ndërhyrjet e mëpasshme dhe rehabilitimin e mjedisit, për llogari të njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila nuk do të jetë më pak se 10% e vlerës së strukturës së objektit dhe përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak. /ekofin.al
