Projektvendimi i ri i Këshillit të Ministrave për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme, i nxjerrë në konsultim, përcakton detyrime më të forta për bizneset dhe operatorët që i krijojnë, grumbullojnë, transportojnë apo trajtojnë ato. Çdo transfertë do të shoqërohet me dokument identifikimi unik dhe do të raportohet në Sistemin e Integruar Mjedisor (SIM), ndërsa transportuesit do të kenë një afat maksimal prej 72 orësh për dorëzimin e mbetjeve në destinacion.
Masat e reja synojnë të garantojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve nga momenti i krijimit deri në rikuperimin ose asgjësimin përfundimtar, duke forcuar kontrollin mbi mënyrën se si menaxhohen substancat që paraqesin rrezik për shëndetin dhe mjedisin.
Sipas projektvendimit, mbetje të rrezikshme konsiderohen ato që janë të identifikuara me shenjën yll (\*) në Katalogun e Mbetjeve. Rregullat do të zbatohen për mbetjet me origjinë industriale, tregtare, institucionale, shëndetësore, bujqësore, ndërtimore dhe bashkiake, si dhe për pjesët e ndara të mbetjeve të rrezikshme shtëpiake pasi pranohen nga operatorët e autorizuar. Mbetjet e përziera të krijuara nga sektori familjar përjashtohen nga fusha e zbatimit.
Etiketim i detyrueshëm dhe standarde të reja për magazinimin
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mënyrën e ambalazhimit dhe identifikimit të mbetjeve. Çdo enë, depozitë apo kontejner që përmban mbetje të rrezikshme duhet të pajiset me një etiketë të dukshme, të lexueshme dhe të qëndrueshme. Etiketa duhet të përmbajë shënimin “MBETJE TË RREZIKSHME”, në shqip dhe anglisht, kodin sipas Katalogut të Mbetjeve, përshkrimin e mbetjes, origjinën, sasinë, datën e ambalazhimit dhe të dhënat e krijuesit ose zotëruesit.
Gjithashtu, duhet të identifikohen vetitë e rrezikshme, gjendja fizike e mbetjes dhe masat kryesore të kujdesit në rast emergjence. Ambalazhet duhet të jenë të papërshkueshme nga rrjedhjet, rezistente ndaj veprimit kimik dhe fizik dhe të përshtatshme për natyrën e mbetjes. Ambalazhet e dëmtuara, të korroduara apo të deformuara nuk mund të përdoren.
Projektvendimi vendos kërkesa edhe për magazinimin e përkohshëm. Zonat ku ruhen mbetjet duhet të kenë sipërfaqe të papërshkueshme, sisteme për mbajtjen e rrjedhjeve, mbrojtje nga kushtet atmosferike kur është e nevojshme dhe akses të kontrolluar. Ato duhet të jenë të rrethuara, të siguruara fizikisht dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Një kërkesë e rëndësishme është ndarja e mbetjeve që mund të reagojnë me njëra-tjetrën. Mbetjet e ndezshme, oksiduese, korrozive, toksike, reaktive dhe infektive duhet të ruhen veçmas, për të shmangur reaksionet kimike, zjarret, shpërthimet apo çlirimin e substancave toksike.
Sa kohë mund të qëndrojnë mbetjet në magazinim?
Projektvendimi përcakton afate maksimale të magazinimit, në varësi të destinacionit të mbetjeve: Gjashtë muaj për mbetjet e rrezikshme të magazinuara përkohësisht në vendin ku krijohen; Tre vjet për mbetjet që destinohen për rikuperim; Një vit për mbetjet që destinohen për asgjësim.
Operatorët duhet të mbajnë evidenca për datën e krijimit, pranimit, magazinimit dhe dorëzimit, në mënyrë që të kontrollohet respektimi i këtyre afateve. Njoftimi i autoriteteve për pamundësinë e dorëzimit brenda afatit nuk sjell zgjatjen e tij.
Transporti duhet të përfundojë brenda 72 orëve
Rregulla të posaçme parashikohen edhe për transportin. Subjektet që kryejnë këtë veprimtari duhet të jenë të licencuara dhe të përdorin mjete që përmbushin kërkesat për transportin e mallrave të rrezikshme.
Transportuesi duhet t’i dorëzojë mbetjet te marrësi brenda 72 orëve nga nisja. Nëse për arsye teknike të automjetit ose shëndetësore të drejtuesit nuk mund të respektohet ky afat, ai duhet të njoftojë menjëherë dorëzuesin dhe marrësin, si dhe të sigurojë transport alternativ.
Në rast se marrësi refuzon plotësisht ose pjesërisht ngarkesën, transportuesi duhet ta kthejë atë te dorëzuesi brenda 72 orëve nga refuzimi.
Çdo transfertë do të ketë kod unik dhe do të raportohet në SIM
Ndryshimi me rëndësi për kontrollin e zinxhirit të mbetjeve është dokumentimi i detyrueshëm i çdo transferimi. Dokumenti i dorëzimit mund të jetë fizik ose elektronik dhe duhet të përmbajë një kod unik identifikimi, duke u plotësuar dhe nënshkruar nga dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi.
Përmes këtij dokumenti identifikohen krijuesi i mbetjeve, lloji dhe sasia e tyre, transportuesi, destinacioni dhe operacioni i planifikuar i rikuperimit ose asgjësimit.
Kodi unik do të përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë miratohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), pas aplikimit elektronik nëpërmjet e-Albania. AKM duhet ta miratojë brenda pesë ditëve pune, ndërsa pjesa e dytë përcaktohet nga vetë dorëzuesi dhe ndryshon për çdo transfertë.
Të dhënat do të regjistrohen dhe administrohen në Sistemin e Integruar Mjedisor (SIM). Operatori që merr mbetjet duhet të konfirmojë në sistem sasinë reale, të përcaktuar përmes peshimit, brenda 24 orëve nga mbërritja në impiant. Brenda 30 ditëve nga pranimi, ai duhet të ngarkojë dokumentacionin që vërteton kryerjen e operacionit të rikuperimit ose asgjësimit.
Gjithashtu, dorëzuesi, transportuesi dhe marrësi duhet t’i raportojnë AKM-së çdo tre muaj, deri më datën 15 të muajit pasardhës, informacionin për transfertat e kryera.
Në rast se sistemi SIM nuk funksionon për arsye teknike, transferimi dokumentohet fizikisht dhe të dhënat duhet të regjistrohen në sistem brenda 48 orëve nga rikthimi i tij në funksion.
Një element tjetër i rëndësishëm është mekanizmi i kontrollit të mospërputhjeve. Nëse AKM konstaton diferenca mes sasive të deklaruara dhe atyre të peshuara, ose mungesë të konfirmimit të marrjes, njofton strukturën përgjegjëse për inspektimin mjedisor brenda 24 orëve. Për rastet me rrezikshmëri të lartë, verifikimi në terren duhet të kryhet brenda 48 orëve nga njoftimi.
Bizneset kanë gjashtë muaj kohë për t’u përshtatur
Projektvendimi parashikon një periudhë gjashtëmujore për personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë aktualisht veprimtari me mbetjet e rrezikshme, për të përmbushur kërkesat e reja.
Gjatë kësaj periudhe mund të përdoren etiketat dhe formularët ekzistues të dokumentit të dorëzimit, me kusht që të përmbajnë të dhënat e kërkuara nga rregullat e reja.
Deri në vënien në funksionim të modulit për dokumentin e dorëzimit në SIM, do të vijojë përdorimi i dokumentit në letër, me numër rendor të caktuar nga dorëzuesi, ndërsa informacioni për transfertat do t’i dërgohet AKM-së në rrugë elektronike. /ekofin.al
