Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit rregullat dhe masat mbështetëse për subjektet që operojnë në fushën e energjisë së rinovueshme. Ftesa për ofertë do të publikohet së paku në dy buletine të njoftimeve zyrtare dhe dy gazeta ndërkombëtare, si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Më tej, operatorët do të hyjnë në garë përmes procedurave konkurruese dhe mund të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti për realizimin e projekteve të tyre.
Cilat subjekte mund të aplikojnë?
Subjektet që hyjnë në procedurën konkurruese, duhet të provojnë se nuk kanë detyrime të pashlyera tatimore apo të energjisë elektrike dhe ujit, pagesën e sigurimeve shoqërore.
Gjithashtu duhet të provojnë se nuk janë në procedurë falimentimi dhe se nuk janë në ndjekje penale apo të dënuar me vendim të formës së prerë në Shqipëria apo në një nga vendet e Bashkimit Evropian, si dhe nuk duhet të jetë listuar për kufizim ushtrimi aktiviteti.
Ndërsa për kriteret financiare duhet të provojnë se kanë aftësi financiare për të realizuar projektin, duke bashkëlidhur pasqyrat financiare të audituara nga audituesit e licencuar, të tri viteve të fundit të veprimtarisë dhe të depozituara në organet tatimore, shoqëruar me vërtetimin e licencës së audituesit;
Për më tepër, duhet të paraqesin garancinë bankare në sigurimin e fondeve ose çdo letër mbështetëse për financimin e projektit, marrë nga një institucion bankar i besueshëm.
Ndër kriteret tenike renditet përvoja në të shkuarën për ndërtimin e të paktën një centrali të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet të rinovueshme. Në varësi të teknologjisë së përzgjedhur, modulet e paneleve diellore apo të turbinave eolike, inverterat dhe komponentët e tjerë elektrikë dhe elektromekanikë, si dhe lidhjet elektrike dhe ndërfaqësimet software dhe hardware të jenë në përputhje me kërkesat e rrjetit, si dhe të sigurojnë ofrimin e të dhënave reale metrike diellore dhe/ose eolike lidhur me prodhimin e pritshëm vjetor të energjisë;
Ofertuesit duhet të ofrojnë një tarifë të nivelizuar 15-vjeçare në euro/MWh, e cila do të jetë pjesë e kritereve të vlerësimit dhe në çdo rast nuk duhet jetë më e lartë se tarifa për të njëjtën teknologji, e miratuar nga ERE.
Ofertuesi me rezultatin më të lartë, sipas metodologjisë së vlerësimit të ofertës, shpallet ofertuesi i përzgjedhur. Metodologjia e vlerësimit të ofertave duhet të parashikojë që çmimi i ofruar nga subjektet për blerjen e energjisë të zërë së paku 50% të pikëve.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të zotërojë jo më pak se 51% të aksioneve të kapitalit në shoqërinë e projektit për të paktën tre vjet nga data e operimit tregtar.
Vendndodhja e propozuar duhet të jetë në tokë të pafrytshme ose toka që janë jo të kategorizuara si të frytshme.
Ofertuesi i përzgjedhur duhet të formojë një shoqëri për projektin për të hyrë në marrëveshje përfundimtare. Kontrata mund të jetë në formën e marrëveshjes për blerjen e energjisë ose në formën e kontratës për diferencë dhe përcaktimeve në marrëveshjen që do të nënshkruhet me autoritetin kontraktor, me një kohëzgjatje maksimale prej 15 vitesh, duke filluar nga data e dhënies së certifikatës së përdorimit të projektit. /ekofin.al

