Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të ditur se po vijohet me instalimin e matësave inteligjentë të energjisë elektrike.
Sipas OSHEE-së, pajisjet do të ndikojnë në rritjen e transparencës duke i dhënë fund abuzimit, përmirësimin e procesit të faturim-arkëtimit, si dhe do të krijojnë mundësinë për të aksesuar në çdo moment dhe kohë reale konsumin në matës nëpërmjet aplikacionit dhe reduktim të kostove në terren.
“Ky sistem i ri për matjen e energjisë elektrike përbën një tjetër hap i rëndësishëm në sektorin energjetik”, bën të ditur OSHEE.
Ndër prioritetet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është reduktimi i mëtejshëm i nivelit të humbjeve dhe në strategjinë për arritjen e këtij objektivi një ndër elementët është edhe investimi në matje inteligjente për konsumatorët fundorë dhe në segmente të rëndësishme të rrjetit.
Sipas OSHEE-së, humbjet në sistem janë zvogëluar për shkak të investimeve të kryera. Në vitin 2013 humbjet në sistem ishin 45 %. OSHEE informoi se i gjithë sistemi i shpërndarjes u zëvendësua me kabllo të reja, u zëvendësuan nënstacionet dhe u zëvendësua gjithçka për të pasur një rrjet shpërndarjeje të mirë. Sot niveli i humbjeve në rrjet ka zbritur në 20 %.