Eventi “Match-Maker Albania 2025” mblodhi bashkë në Tiranë 1000 përfaqësues nga 36 shtete, përfshirë investitorë, agjenci zhvillimi dhe eksportues shqiptarë për investimet në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë, si dhe për fuqizimin e markës “Made in Albania”.
Rritja e pozicionit të Shqipërisë si destinacion për investime konkurruese dhe eksporte cilësore, ishte në fokus të këtij eventi të organizuar nga AIDA. Drejtoresha ekzekutive, Laura Saro, në fjalën e mbajtur, e cilësoi eventin një vendtakim të rëndësishëm ku do të diskutohen partneritetet e mundshme për investimeve në një gamë të gjerë sektorësh.
Ajo theksoi se “kemi 30 projekte strategjike me vepra publike dhe private, që nisin nga zonat turistike bregdetare e urbane. Për të vijuar me institucionet qeveritare, që janë të prirur t’ju mbështesin në rrugëtimin tuaj të investimeve në Shqipëri”.
Zonja Saro njoftoi se në këtë event do të nënshkruhen 5 memorandume mirëkuptimi me institucionet homologe, që siç tha Drejtoresha e AIDA-s “janë ura të reja bashkëpunimi për tregje të reja me Shqipërinë”.
“Objektiv i këtij aktiviteti është rritja e pozicionit të Shqipërisë si destinacion për investime konkurruese dhe eksporte cilësore. Duke e vënë këtë në linjë me performacën e fortë të rritjes ekonomike shqiptare që ka arritur këtë vit rreth 1,58 miliardë lekë investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Dua t’i tregojmë botës se çfarë është realisht Shqipëria, jo vetëm një vend i pasur me burime natyrore, po një vend miqësor për të bërë biznes. Ky është vetëm fillimi”, deklaroi Saro.
