Mastercard njoftoi të martën se do të blejë kompaninë BVNK, e specializuar në infrastrukturën e pagesave me stablecoin, për deri në 1.8 miliardë dollarë, ndërsa gjiganti i kartave përforcon strategjinë e tij drejt transfertave të bazuara në blockchain.
Rritja e qartësisë rregullatore dhe përdorimi më i gjerë i stablecoin kanë krijuar mundësi që rrjetet e kartave të zgjerohen përtej modeleve tradicionale, drejt sistemeve digjitale më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Mastercard dhe rivali i saj Visa po konkurrojnë për të siguruar një avantazh të hershëm në këtë segment që po evoluon me shpejtësi.
Mastercard tha se marrëveshja do t’u mundësojë përdoruesve të saj të kryejnë transferta ndërkufitare, pagesa biznesi dhe disbursime përmes stablecoin, të cilat ofrojnë avantazhe në shpejtësi, kosto dhe disponueshmëri.
“BVNK ka kaluar shtatë vitet e fundit duke ndërtuar jo vetëm teknologjinë, por edhe duke siguruar licenca në shumë juridiksione,” tha drejtori i produkteve në Mastercard, Jorn Lambert, gjatë një konference.
Lambert shtoi se ndërtimi i një kapaciteti të ngjashëm brenda kompanisë “do të kërkonte mjaft kohë”, ndërsa një blerje e tillë i lejon Mastercard-it të “hyjë në treg shumë më shpejt”.
Marrëveshja përfshin 300 milionë dollarë pagesa të kushtëzuara dhe pritet të finalizohet përpara fundit të vitit 2026.
Analistët e William Blair thanë se infrastruktura e stablecoin e BVNK “plotëson zgjidhjet ekzistuese të kartave të Mastercard-it, duke ofruar më shumë opsione për pagesa dhe lëvizje parash midis kanaleve fiat dhe blockchain”.
BVNK, e themeluar në vitin 2021, specializohet në infrastrukturë që lidh monedhat tradicionale (fiat) me stablecoin. Platforma e saj mundëson dërgimin dhe marrjen e pagesave në të gjitha rrjetet kryesore blockchain në më shumë se 130 vende.
“BVNK përfaqëson një mundësi të rëndësishme blerjeje për Mastercard, duke pasur parasysh shtrirjen e saj gjeografike mbresëlënëse, licencat e vështira për t’u siguruar dhe marrëdhëniet e forta me aktorët kryesorë të ekosistemit,” tha analisti i Citi, Bryan Keane.
Marrëveshja ndërtohet mbi strategjinë më të gjerë të Mastercard për asetet digjitale, përfshirë Programin Crypto Partner, teksa kompania synon të integrojë pagesat me bazë blockchain në rrjetin e saj global dhe të zgjerojë tregun potencial./Përshtati nga Reuters, ekofin.al

