Ministria e Drejtësisë ka propozuar ndryshime dhe masa më të rrepta disiplinore për përmbaruesit gjyqësor. Dokumenti i hedhur për konsultim publik, synon që krahas masave, të rregullojë edhe aspektin e zëvendësimit të përmbaruesit gjyqësor të pezulluar apo që i është hequr licenca, si dhe të masave disiplinore dhe organeve përgjegjëse për dhënien e tyre.
Duke u unifikuar me parashikime e ligjit “Për noterinë”, pezullimi nuk mund të lihet në diskrecionin e institucionit dhe mund të përbëjë shkak për abuzim dhe standard të dyfishtë. Nga ana tjetër, përmbaruesi nuk mund të ushtrojë detyrën nëse ndaj tij janë caktuar masa sigurimi personal të arrestit.
Gjithë qëllimi i ndërhyrjes është për të adresuar situatën e deritanishme me të cilën është përballur Ministria e Drejtësisë, që ka hequr licenca dhe çregjistruar përmbarues gjyqësorë nga Regjistri i Përmbaruesve, ndërkohë që nuk ka arritur në asnjë prej këtyre rasteve të marrë në dorëzim dosjet/çështjet aktive dhe arkivin e tyre përmbarimor, duke shkaktuar pasoja të rënda tek palët e këtyre proceseve përmbarimore, si në rastin e debitorëve (sekuestro të mbetura efektive) ashtu edhe të kreditorëve, të cilëve u janë cenuar interesat me mosvijimin e veprimeve procedurale të lëna në mes, apo rifillimin e tyre nga subjektet përmbarimore që janë aktive.
Kjo situatë është tepër problematike dhe ka shkaktuar dëm direkt për qytetarët që kanë dosjet për ekzekutim pranë këtyre përmbaruesve.
Mekanizmi që e konsideron urdhrin e ministrit për heqjen e licencës si titull ekzekutiv, që do të duhet të vihet në ekzekutim po nga shërbimi përmbarimor (shtetëror) për të marrë dosjet dhe arkivat në dorëzim në këto raste, nuk është as efektiv, as i mjaftueshëm.
Këto raste duhet të adresohen përmes rrugës ligjore penale, thuhet në relacion.
Kushdo që nuk pranon të dorëzojë vulën, dokumentin identifikues të përmbaruesit, dosjet dhe arkivin, do të duhet të përballet me përgjegjësinë penale dhe organet e rendit publik që sigurojnë marrjen e dokumentacionit përmbarimor, forcërisht.
Nga 4 rastet e pezullimit të përmbaruesve gjyqësorë privatë, asnjëri nuk ka dorëzuar akoma arkivin, ndërkohë që dosjet përmbarimore janë tepër voluminoze për t’u administruar nga struktura përgjegjëse apo sektori i arkivë/protokollit.
Ministria dhe Dhoma publikojnë brenda dy javëve, në faqet e tyre zyrtare, vendimet disiplinore të dhëna ndaj përmbaruesve gjyqësorë privatë nga ministri ose Komisioni Disiplinor, sipas rastit.
Publikimi i vendimeve disiplinore, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të mbrojë të dhënat personale dhe të garantojë mbrojtjen e konfidencialitetit. Në çdo rast, nuk botohet asnjë informacion që mund të tregojë identitetin e përmbaruesit gjyqësor privat.
Masa disiplinore e heqjes së licencës ose heqjes së titullit të përmbaruesit nuk shuhet dhe nuk fshihet nga regjistri.
Gjobat ndaj përmbaruesve në varësi të shkeljes vijon nga 50,000 deri në 500,000 lekë.
Për të garantuar zëvendësimin në kohë të përmbaruesit privat që i hiqet licenca në rast se Dhoma nuk vë në dispozicion listën, ministri i Drejtësisë shpall thirrjen për shprehje interesi për t’u caktuar përmbarues gjyqësor privat zëvendësues dhe më pas harton e miraton listën e përmbaruesve gjyqësorë privatë zëvendësues.
Nëse nuk përmbushen kriteret dhe s’ka mundësi zëvendësimi, ministri do të ketë të drejtën që të caktojë një përmbarues gjyqësor shtetëror zëvendësues, nga lista e vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit.
Ministri i Drejtësisë, urdhëron fillimin e procedimit disiplinor menjëherë, në rastet kur konstatohet se shkelja është flagrante, haptazi e paligjshme ose e përsëritur. Fillimi i procedimit disiplinor ndaj përmbaruesit sipas kësaj pike, nënkupton përfundimin e procesit të kontrollit vetëm për shkeljen e pretenduar.
Po kështu Ministria e Drejtësisë do të ushtrojë kontroll të veprimtarisë çdo 2 vjet nga 4 që ishte më parë. /ekofin.al
