Bundestagu njoftoi të premten se do të pezullojë ribashkimin familjar për personat me mbrojtje dytësore për një periudhë fillestare dyvjeçare.
Ligjvënësit gjermanë votuan të premten për të pezulluar të drejtat e ribashkimit familjar për migrantët që nuk përfitojnë statusin e plotë të azilit, si pjesë e përpjekjeve të kancelarit Friedrich Merz për të ashpërsuar politikat e imigracionit. Dhoma e ulët e Parlamentit votoi me 444 pro dhe 135 kundër për pezullimin e ribashkimit familjar për migrantët me status mbrojtjeje dytësore – një status që u jepet atyre që lejohen të qëndrojnë sepse është shumë e rrezikshme të kthehen në vendin e tyre, edhe pse nuk njihen zyrtarisht si refugjatë.
Deri në fund të marsit, më shumë se 388,000 persona në Gjermani – kryesisht sirianë – mbanin statusin e mbrojtjes dytësore. Ligji i ri pezullon rregullat e vendosura në vitin 2018, të cilat lejonin deri në 1,000 të afërm të ngushtë në muaj të bashkoheshin me migrantët me këtë status. Deri tani, autoritetet gjermane kanë marrë vendime rast pas rasti bazuar në arsye humanitare, dhe jo përmes një të drejte automatike për ribashkim familjar.
Ky ligj nuk ndikon individët që kanë përfituar azil ose që janë njohur si refugjatë sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatët. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt tha përpara ligjvënësve se ndryshimi do të reduktojë numrin e personave që mund të vijnë në Gjermani me rreth 12,000 në vit dhe se do të “thyejë një model biznesi” për trafikantët e qenieve njerëzore.
Dobrindt mbrojti masën, duke argumentuar se “kapaciteti i vendit për integrim ka thjesht një kufi”. “Shumë njerëz e dinë që nuk do të marrin njohje të plotë si refugjatë,” tha Dobrindt, “por gjithsesi nisen drejt Gjermanisë sepse dihet që edhe pa status azili, më vonë mund të sjellin familjen. Kjo krijon një faktor të fortë tërheqjeje, dhe sot po e eliminojmë atë faktor.”
Socialdemokratët (SPD) – një nga partitë e koalicionit qeverisës të Merz – shprehën shqetësime për ligjin, por në fund e mbështetën si pjesë e një kompromisi politik. Ministrja gjermane për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin, Natalie Pawlik, pranoi ndjeshmërinë brenda partisë së saj, duke thënë: “Integrimi funksionon më mirë kur familjet janë së bashku.” Ajo shtoi, megjithatë, se SPD do ta mbështesë masën, duke theksuar se nuk zbatohet për rastet e ashtuquajtura të vështira dhe është e kufizuar në dy vite.
Projektligji i miratuar të premten shënon aktin e parë ligjor për migracionin që nga marrja e detyrës nga Merz. Qeveria e tij është zotuar për politika më të rrepta emigracioni mes presionit në rritje nga publiku./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
