Marriott Hotel do të jetë pjesë e projektit gjigand Vlora Marina, duke vendosur standarde elitare në fushën e turizmit dhe mikpritjes. Vlora Marina Residences dhe Marriott International kanë nënshkruar marrëveshjen që i hap rrugën hotelit me 5 yje të certifikuar ndërkombëtarisht në Vlora Marina. Investimi mbi 100 milionë euro parashikon ngritjen dhe menaxhimin e hotelit “Vlora Marriott Hotel” si dhe prezantimin e një koncepti të ri për Shqipërinë dhe rajonin që janë apartamentet e branduara. Si hoteli me 150 dhoma ashtu edhe apartamentet e brandura do të manaxhohen nën të njëjtën strehë nga i njëjti ekip Marriott, duke garantuar cilësinë dhe standardet më të larta ndërkombëtare.
I përshtatshëm si për ata që udhëtojnë për biznes, ashtu dhe për turistë, Vlora Marriott Hotel, parashikon të ketë 150 dhoma dhe suita si dhe mbi 100 apartamente për shitje nën emrin e Vlora Marriott Residences. Hoteli përfshin pishinë të brendshme dhe të jashtme, katër restorante dhe bare, një plazh privat me një beach bar, spa, një qendër fittnesi dhe një hapësirë moderne për biznes dhe takime. Gjithashtu do të sigurohet edhe një qendër socio-argëtuese për vizitorët dhe qytetarët e Vlorës 24 orë në 24.
Rezidencat janë planifikuar të jenë nga 75 deri në 220 m² me një deri në katër dhoma gjumi, duke u ofruar banorëve akses në palestër private si dhe facilitete të përzgjedhura të hotelierisë. Në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes, ishin të pranishëm edhe personalitete të institucioneve publike, bizneseve që lidhen me hotelerinë dhe turizmin si edhe media. /scantv.al
