Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme, duke nënshkruar sot në Abu Dhabi marrëveshjen e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.
Përpara nënshkrimit të marrëveshjes është zhvilluar samiti global “Abu Dhabi Sustainability Week”, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal në bashkëpunimin në sektorin energjetik.
“Dua të theksoj se partneriteti i Shqipërisë me Emiratet bashkuara Arabe është i rëndësishëm për një rajon që shumë luftëra keqkuptime, i kanë dhënë formë të shkuarës sonë. Bashkëpunimi dhe dëshira për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane duhet mbështetur me hapa konkrete. Bashkëpunimi që ka nisur mes kompanisë shtetërore KESH synon të zhvillojë deri në 3 giga vat të energjisë së ripërtëritshme. Është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për paqen por edhe bashkëpunimin në rajon. Më lini ta përmbyll duke shprehur mirënjohnjen time edhe për dikë që sa hyri në sallë, që është kryeministrja Meloni e cila është këtu për të bekuar këtë marrëveshje mes Emirateve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfqësues të qeverive të vendeve përkatëse.
Në bazë të marrëveshjes, parashikohen investime me vlerë deri në 1 miliardë Euro, për ndërtimin e një rrjeti nënujor, që do të lidhë Shqipërinë me Italinë, që në fakt ka qënë një projekt i kahershëm, por që nuk është konkretizuar deri tani.
