Këshilli i Ministrave ka depozituar për shqyrtim në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë si humarrëse dhe Bashkimit Evropian, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, që do të mundësojë financimin e programit të sipërpërmendur, nëpërmjet akordimit të një huaje në vlerën 657, 458, 743.67 euro, i shoqëruar nga një grant WBIF, në shumën 264, 6271, 44.33 euro.
Sipas Marrëveshjes së Huas, Bashkimi Evropian do të disbursojë një shumë prej 46,022,112.06 Euro të parafinancimit, në një ose më shumë transhe.
Pjesa e parafinancimit në lidhje me Përqindjen e Shpërndarë, që do t’i vihet në dispozicion Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe në shumën 15,992,683.94 EURO do të jetë sipas dispozitës të Nenit 5 të Marrëveshjes, e cila përcakton se Huamarrësi do të përfundojë Marrëveshjet e tilla të Kontributit brenda tre muajve nga miratimi i vendimit të lirimit të Komisionit.
Sipas Marrëveshjes së Huas, asnjë disbursim nuk do të bëhet më përpara se Marrëveshja e Lehtësisë të ketë hyrë në fuqi dhe Bashkimi Evropian të ketë marrë kërkesë për pagesë nga qeveria shqiptare.
Shumat e parafinancimit që nuk janë shlyer deri më 31 dhjetor 2027 ose, nëse më herët, datën në të cilën është kryer disbursimi i fundit, do të jenë menjëherë të kërkueshme dhe të pagueshme.
Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është çlirimi i potencialit ekonomik të vendit dhe konsolidimi i efikasitetit të reformave, dhe ecjes së qëndrueshme përpara në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Si parakusht për vendin për të aktivizuar mundësinë për të përfituar nga fondet e facilitetit të reformave dhe rritjes 2024-2027 për Ballkanin Perëndimor është hartimi dhe miratimi i dokumentit të politikës “Agjenda Kombëtare e Reformave 2024-2027”, (miratuar me vendimin nr.621, datë 10.10.2024, të Këshillit të Ministrave) në kontekstin e planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian.
Objektivat kryesorë të këtij programi përfshijnë rritjen e konkurrueshmërisë dhe qeverisjes ekonomike me fokus në një kuadër ligjor i favorshëm për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e eksporteve, që përputhet me acquis dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu përfshijnë zhvillimin e qëndrueshëm i kapitalit njerëzor – reformimi më tej i arsimit, për një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur nga pikëkëpamja digjitale për t’iu përgjigjur zhvillimeve dinamike të tregut të punës. Shqipëria gjithashtu ka në fokus ndërtimin e një shoqërie digjitale të sigurt, tё qёndrueshme dhe me shërbime të aksesueshme.
Konsolidimi i qëndrueshmërisë energjetike dhe integrimi i tregut shqiptar në atë të BE-së, si dhe tranzicionin e gjelbër është një tjetër prioritet, së bashku me konsolidimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet masave që luftojnë krimin e organizuar, parandalojnë dhe ulin incidencën e korrupsionit, rrisin efikasitetin e gjyqësorit dhe promovojnë transparencën dhe lirinë e shprehjes, në përputhje me standardet evropiane.
Qeveria ka propozuar që projektligji të miratohet me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë që paraqet në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një prioritet kryesor i qeverisë shqiptare. /ekofin.al

