Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se brenda tre muajve të parë të vitit 2025 do të jetë përmbyllur procesi i përcaktimit të çmimeve të referencës për 60 bashkitë e vendit, përjashtuar Tiranën, dhe më tej Financat do të propozojnë realizimin e rivlerësimit të pronave me çmimet e reja dhe me normë të reduktuar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber dhe Guvernatorin Gent Sejko, Malaj tha se deri tani ka përfunduar procesi për përcaktimin e çmimeve të reja të referencës për 14 bashki dhe po vijohet për të tjerat.
“Në vijim të propozimit të ardhur nga parlamenti shqiptar për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, Ministria e Financave e ka vlerësuar me seriozitet këtë propozim dhe natyrisht i ka kërkuar dhe do t’i propozojë qeverisë që krahas rivlerësimit të përcaktohen edhe çmimet e reja të referencës për të gjitha bashkitë përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës pasi çmimet e referencës në bashkitë e tjera datojnë nga viti 2016 dhe nuk reflektojnë çmimet aktuale të tregut. Ajo që ne propozojmë është që të dyja këto nisma, pra rivlerësimi i pasurive të paluajtshme dhe çmimet e reja të referencës për bashkitë e tjera përveç bashkisë Tiranë të hidhen paralelisht në të njëjtën kohë në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë qytetarëve shqiptarë që të bëjnë rivlerësimin e pronave të tyre me çmimet e tregut duke paguar normën e reduktuar të tatimit mbi të ardhurat,” tha Malaj.
Sipas tij, “Ministria e Financave ka nisur nga puna për përcaktimin e çmimeve të reja të referencës. Aktualisht kemi përmbyllur procesin e çmimeve të referencës për 14 bashkitë më të mëdhaja dhe ndërkohë puna po vijon për bashkitë e tjera. Grupi i punës planifikon që brenda 3-mujorit të parë të viti 2025 të kemi mbyllur procesin e çmimeve reference dhe më pas do t’i hedhim të dyja këto nisma për konsultim publik dhe pasi të përfundojmë edhe konsultimin publik të dyja këto nisma do t’i propozohen qeverisë në mënyrë që të vijohet me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.”
Sipas një vlerësimi, procesi i rivlerësimit të pronave me tatim të reduktuar mund të realizohet brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. /ekofin.al
