Ministri i Financave, Petrit Malaj, konfirmoi sot publikisht atë që Ekofin.al raportoi pak ditë më parë se procesi për rishikimin e çmimeve të referencës për pronat në rrethe është rikthyer në tavolinë dhe pritet të përfundojë brenda muajit prill 2026. Deklarata e tij gjatë një konference për shtyp përforcon zhvillimet e fundit, ku një grup ndërinstitucional pune është riaktivizuar për të rishikuar metodologjinë dhe për të reflektuar më saktë realitetin e tregut.
Sipas Malajt, vonesat në proces lidhen drejtpërdrejt me diferencat e konstatuara mes çmimeve të regjistruara në sistemet zyrtare të kadastrës fiskale dhe atyre që rezultojnë nga verifikimet në terren nga agjencitë imobiliare. Pikërisht kjo mospërputhje ka detyruar rishikimin e të gjithë analizës, duke e orientuar procesin drejt identifikimit të çmimeve reale të tregut si bazë për referencat e reja.
“Ka një grup pune që ka marrë përsipër ta përfundojë këtë proces brenda muajit prill 2026. Arsyeja pse u shty në kohë me çmimet ishte se si rezultat i punës të bërë nga grupi i punës dolën diferenca të çmimeve që janë të regjistruara pranë zyrave të kadastrës fiskale dhe çmimeve që realisht rezultonin nga kontrollet e ushtruara në terren nga zyrat imobilare”, tha Malaj.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Ekofin.al ka raportuar se qeveria ka ndryshuar qasjen ndaj këtij procesi, duke riaktivizuar grupin e punës me përbërje më të gjerë dhe duke shtyrë afatet deri më 20 prill 2026. Ndryshe nga tentativa e mëparshme e korrikut 2025 – e cila dështoi të miratohej pas kritikave për mungesë transparence dhe mospërputhje me tregun – rishikimi i ri synon të mbështetet në një bazë më të plotë të dhënash dhe në një analizë më gjithëpërfshirëse.
Në këtë kuadër, metodologjia e re pritet të përfshijë jo vetëm të dhënat kadastrale mbi transaksionet, por edhe informacionet e aktorëve të tregut, kontratat reale të shitblerjes dhe një analizë të detajuar sipas zonave dhe nënzonave. Përfshirja e ekspertëve të jashtëm dhe përfaqësuesve të tregut të pasurive të paluajtshme synon të rrisë besueshmërinë e procesit dhe të shmangë problematikat që shoqëruan draftin e mëparshëm.
Ministri Malaj theksoi gjithashtu se procesi i rivlerësimit të pronave nuk ndikohet drejtpërdrejt nga kjo shtyrje, pasi qytetarët vijojnë të kenë mundësinë të bëjnë rivlerësim me tatim 5%, duke përdorur vlerësues privatë dhe çmime reale tregu. Megjithatë, përditësimi i referencave mbetet një element kyç për funksionimin e sistemit fiskal.
Rishikimi i çmimeve të referencës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në disa dimensione të rëndësishme të ekonomisë: nga taksimi i pasurive të paluajtshme, tek transparenca e transaksioneve dhe formalizimi i tregut imobiliar. /ekofin.al
