Nga Luçiana Sharra, Guidë Turistike e Certifikuar
Në zemër të Alpeve të Shqipërisë fshihen thesare të çmuara natyrore që nuk të kursejnë mahnitjen sa herë përballesh me to, si Malësia e Kelmendit në veri. Ndër krahinat më të pasura ajo shquhet për bukurinë përrallore, me male të lartë e thepisur, me lumenj e lugina shumëngjyrëshe, por edhe folklorin e pasur dhe legjendat, ku spikat “Nora e Kelmendit”. Edit Durham do t’i cilësonte kelmendasit si ndër më të mirët e më inteligjentët.
Është ora 5:30 e mëngjesit dhe kur qyteti të zgjohet në rutinën e përditshme, grupi ynë do të ketë mbërritur në luginën e Lëpushës, ndër më piktoresket në Alpe.
Rruga gjarpërushe e Leqeve të Hotit që lidh Tamarën me Lëpushën të jep ndjesinë e të qenët në një botë të paprekur. Ato janë stacioni i parë që sinjalizon se udhëtimi do të jetë plot adrenalinë.
Pasi mbërrijmë në fshat, para nesh hapet pamja e shkrepave me ngjyrë të argjendtë që krijojnë kontraste magjepsëse me relievin e butë plot gjelbërim. Nga lindja ngrihet një kurriz malor mbi Shenik që zbret në Qafën e Vajushës e më pas vazhdon në Majën e Parodisë e të Vajushës (2059m) dhe kulmon me Majën e Trojanit (2193m).
Shtegu malor drejt Majës së Vajushës, i cili në varësi të ritmit të grupit përshkrohet për 6-7 orë, është destinacion për aventurierët, ku çdo hap sjell pamje që të rrëmbejnë frymën: pyje të dendur me ahe e bredha, përrenj të kristaltë, ujëvara dhe ajër që nuk është thjesht i pastër, por i “gjallë”.
Për grupin tonë, ngjitja është një kombinim sfide dhe qetësie. Rruga kalon nëpër bjeshkë të buta me kullota të gjelbra, ndërsa më lart bëhet më shkëmbore, duke i dhënë çdo pushimi kuptimin e një fitoreje, të vulosur nga cicërimat e zogjve.
Me të mbërritur në lartësinë 2059 metra, para nesh shfaqet pamja madhështore e Majës së Vajushës, të cilën turistët e huaj e krahasojnë me Dolomitet.
Nga maja, horizonti hapet si një mozaik natyror ku ndërthuren Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, një pikë ku kufijtë nuk ndahen, por bashkohen përmes bukurisë së përbashkët alpine.
Vajusha, kjo zonjë e rëndë e Alpeve, të fton t’i përkulesh madhështisë së saj dhe në këtë përkulje u dhuron alpinistëve lirinë.
Është një bukuri e egër: një kombinim i krenarisë, përzier me ftohtësinë e borës së pashkrirë në shpate dhe horizonteve të majave të hekurta.
Pasi kemi admiruar, përmes shtegut të mbuluar me lule mali, zbresim sërish në Lëpushë.
Fshati i vogël është një përzierje perfekte e mikpritjes tradicionale, arkitekturës alpine dhe jetesës në harmoni me natyrën. Këtu, agroturizmet familjare ofrojnë produkte të freskëta vendase: djathë kaçkavall, mish të thatë, reçel, çaj mali e mbi të gjitha ngrohtësi njerëzore.
E ndërkohë që dielli perëndon mbi luginë dhe bëhemi gati të largohemi, një vështrim i fundit drejt Vajushës është premtimi për t’u kthyer sërish, atëherë kur zonja të hedhë supeve mantelin e bardhë të dëborës./ekofin.al





