Me suficitin e konsiderueshëm të Buxhetit të akumuluar në fund të vitit, në mbledhjen e fundit për këtë vit Qeveria ka “zgjidhur qesen” edhe për fondet e rindërtimit, një proces që vijon edhe 5 vite pas tërmetit të 2019.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën rreth 1.4 miliardë lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Durrës, Kamzë, Mirditë, Shijak, Krujë dhe Vorë.
Vendimi detajon fondet për: Bashkia Durrës, 341 609 690 lekë pa TVSH; Bashkia Kamzë, 173 720 000 lekë pa TVSH; Bashkia Mirditë, 126 653 347 lekë pa TVSH; Bashkia Shijak, 116 705 361 lekë pa TVSH; Bashkia Krujë, 310 460 416 lekë pa TVSH dhe Bashkia Vorë, 351 995 436 lekë pa TVSH.
Gjithashtu në vendim alokohen fondet të rindërtimit, për vitin 2024, nga bashkitë Durrës, Kamzë, Mirditë, Shijak, Krujë dhe Vorë, në masën 919 202 014,60 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, sipas detajimit të mëposhtëm: Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 204 965 814 lekë pa TVSH; Bashkisë Kamzë 173 720 000 lekë pa TVSH; Bashkisë Mirditë 126 653 347 lekë pa TVSH; Bashkisë Shijak 70 023 216,60 lekë pa TVSH; Bashkisë Krujë 132 642 375 lekë pa TVSH; Bashkisë Vorë 211 197 262 lekë pa TVSH.
Në një tjetër vendim, qeveria miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit, në rreth 622 milionë lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale në bashkitë Kamzë, Mirditë, Shijak dhe Krujë. Gjithashtu, në mbledhjen e fundit janë miratuar edhe një sërë vendimesh që detajojnë përdorimin e fondeve për rindërtimit, duke ia kaluar ato bashkive më të prekura, përmes transfertave të pakushtëzuara. /ekofin.al