10 produkte për mbrojtjen e bimëve të ndaluara në Bashkimin Evropian rezultuan në qarkullim në Shqipëri gjatë periudhës 2022-2024, ndërsa për 14 lloje pesticidesh normat e mbetjeve të lejuara në disa fruta dhe perime ishin disa herë më të larta se ato të BE-së.
Sipas auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Bujqësisë, lista e produkteve përfshin luleshtrydhet, mandarinat, domatet, kastravecat, patatet dhe shalqiri, një pjesë e të cilave janë të destinuara edhe për eksport.
KLSH ka krahasuar listat e Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë me ato të Bashkimit Evropian dhe ka konstatuar se gjatë viteve 2022-2024 në territorin shqiptar kanë qenë në qarkullim 10 produkte me lëndë aktive të ndaluara në BE.
Lista përfshin Metaflumizone, Clofentezine, S-metolachlor, Spinetoram, Diethofencarb, Metribuzin, Spirotetramat, Metiram, Dimethomorph dhe Meptyldinocap. KLSH vlerëson se mbajtja e tyre në qarkullim sjell pasoja për shëndetin e popullatës, kafshëve dhe bimëve dhe i ka rekomanduar Ministrisë heqjen e tyre nga lista e lejuar dhe ndalimin e qarkullimit.

Auditimi thekson edhe raste kur afati i vlefshmërisë në Shqipëri ishte zgjatur përtej afatit të përcaktuar nga BE. Për shembull, për Metaflumizone, afati sipas BE-së përfundonte më 31 dhjetor 2024, ndërsa në listën shqiptare rezultonte vlefshmëri deri më 31 dhjetor 2025. Për Spinetoram, afati sipas BE-së ishte deri më 30 qershor 2024, ndërsa në Shqipëri deri më 30 qershor 2025. Për Dimethomorph, raporti evidenton gjithashtu vazhdim të vlefshmërisë në listat shqiptare përtej afatit evropian.
Një problem tjetër, sipas KLSH-së, lidhet me mënyrën e administrimit të produkteve që BE i ka hequr nga tregu. Prej vitit 2020 Ministria i ka ndarë pesticidet në dy lista, ku lista e dytë përfshin produkte që nuk lejohen më në BE, por që në Shqipëri mund të vazhdonin të tregtoheshin deri në konsumimin e stokut ekzistues. Auditimi konstaton se nuk kishte evidencë të saktë për sasitë gjendje në magazina dhe as procedura të plota për monitorimin e konsumimit dhe daljes së tyre nga qarkullimi.
Normat shqiptare deri 75 herë më të larta në disa raste
Problematika e dytë që ngre KLSH-ja lidhet jo me lejimin e vetë pesticideve, por me nivelin maksimal të mbetjeve të tyre të lejuara në produktet ushqimore.
Audituesit krahasuan Udhëzimin nr. 11 të vitit 2021 të Ministrisë së Bujqësisë me normat e BE-së për luleshtrydhe, patate, rrush, ullinj, mandarina, lulelakër, domate, kastravec dhe shalqi. Për 14 lloje pesticidesh, KLSH-ja konstaton se normat shqiptare ishin disa herë më të larta se ato të pranuara në BE, ndërsa në disa raste nuk ishte përcaktuar fare një nivel maksimal.
Diferencat në disa produkte janë të konsiderueshme. Për Tebuconazole te luleshtrydhet, norma e BE-së e cituar në raport është 0.02 mg/kg, ndërsa norma shqiptare 1.5 mg/kg, ose rreth 75 herë më e lartë. Për Clopyralid te luleshtrydhet, diferenca është 0.5 mg/kg në BE kundrejt 5 mg/kg në Shqipëri, ndërsa për Difenoconazole 2 mg/kg kundrejt 20 mg/kg.
Edhe te mandarinat diferenca është e fortë: për Phosmet raporti jep një normë prej 0.01 mg/kg në BE dhe 0.5 mg/kg në udhëzimin shqiptar, pra 50 herë më të lartë. Te kastravecat, për Oksamil norma shqiptare rezulton 0.01 mg/kg, kundrejt 0.001 mg/kg në BE, ose 10 herë më e lartë. Te domatet, për Oxyfluorfen raporti jep 0.05 mg/kg në Shqipëri, kundrejt 0.01 mg/kg në BE.
KLSH-ja thekson se produktet e analizuara janë të destinuara edhe për eksport dhe e lidh mospërputhjen e standardeve me rrezikun për konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare në tregun evropian, përveç çështjes së sigurisë ushqimore dhe shëndetit.
Raporti rekomandon rishikimin e niveleve maksimale të mbetjeve të pesticideve dhe harmonizimin e kuadrit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e monitorimit në tregun vendas dhe në pikat e eksport-importit. /ekofin.al

