Mungesa e qëndrueshmërisë së çmimeve të energjisë në tregje dhe mundësitë e zhvillimit të Bursës Shqiptare të Energjisë nuk e kanë frenuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të vijojë procedurat për blerje afatgjatë të energjisë.
Ky dikaster njoftoi se thirrjes për shprehje interesi për kontratë 3 dhe 5-vjeçare të importit të energjisë kanë shprehur interes 5 subjekte, duke konfirmuar avancimin e garës së shpallur në mesin e muajit mars.
Këto kompani do të kalojnë fazën e parakualifikimit, ndërkohë që subjektet që do përmbushin kriteret do të duhet të paraqesin ofertat e tyre, mbi çmimet me të cilat do të hyjnë në garë për shitjen e energjisë. KESH nuk bëri publike emrat e subjekteve të interesuar, si dhe “kategorinë” e kontratës për të cilat synojnë të hyjnë në garë.
Referuar afateve të publikura më herët, negocimi i kontratës dhe lëshimi i garancive do të mbyllet brenda datës 30 maj.
Sipas ekspertëve blerja afatgjatë e energjisë në një kohë kur çmimet janë të luhatshme mund të ketë pasoja negative për financat e korporatës, duke qenë se të paktën në raport me vitin që shkoi çmimet janë më të ulëta dhe kjo tendencë në rënie mund të vijojë. Po ashtu, nuk kanë munguar kritikat për rolin që do të ketë bursa shqiptare e energjisë elektrike, duke qenë se blerja e një sasie të konsiderueshme energjie do të kryhet jashtë saj.
