Në shkurt të këtij viti u miratua, pas disa shtyrjeve dhe debateve, ligji për lojërat e fatit online. Edhe pse në buxhetin e këtij viti ishin projektuar të ardhura nga veprimtaria e lojërave të fatit, kryesisht si pasojë e pagesave relativisht të larta të parashikuara dhe në ligj për dhënien e licencave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Burime nga Komisioni i Ekonomisë bëjnë me dije se aktualisht po punohet për finalizimin e akteve nënligjore që bëjnë të zbatueshëm ligjin. Edhe mes vetë përfaqësuesve të mazhorancës, si në rastin e miratimit të ligjit, ashtu edhe tani pas hyrjes së tij në fuqi, ka opinione të ndryshme për mënyrën sesi duhet të funksionojë dhe si duhet të monitorohet veprimtaria e basteve sportive online.
Në projeksionin e të ardhurave të buxhetit 2024, ishin parashikuar 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojrat e fatit dhe kazinotë”. Të ardhurat shtesë të parashikuara, përfshijnë si taksat nacionale të programuara të regjistrimit të operatorëve që do operojnë në fushën e basteve sportive, edhe të ardhurat nga tatimi mbi lojrat e fatit/baste sportive online që do të paguajnë subjektet që do të licensohen, theksohet në relacionin e buxhetit 2024.
Por me sa duket, këto të ardhura të parashikuara, do të rezultojnë të munguara në buxhetin e këtij viti, pasi gjasat për plotësimin e paketës ligjore për ta bërë të zbatueshëm ligjin janë të vogla. Madje, sinjalet që vijnë nga tregu sugjerojnë ndërmarrjen e ndryshimeve të tjera ligjore, edhe pse ligji nuk ka nisur ende të zbatohet.
E ndërkohë që jemi në këtë situatë, herë pas here policia e shtetit publikon njoftime mbi goditjen e aktiviteteve të paligjshme që operojnë me lojërat e fatit, kryesisht bastet sportive.Ende nuk dihet se deri kur do të vijojë një situatë e tillë. /ekofin.al
