Operatori i Sistemit të Transmetimit ka shpallur garën për ndërtimin e linjës 110 kV Sarandë–Xarrë, një investim që synon rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i përllogaritur arrin shifrën 497 milionë e 588 mijë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e një linje të re që do të lidhë Sarandën me Xarrën, duke krijuar një lidhje më të sigurt të rrjetit elektrik në këtë zonë.
Linja e re do të ndërtohet përgjatë një traseje të re, ndërsa në segmentin pranë nënstacionit të Sarandës do të përdoren kabllo nëntokësore. Punimet do të përfshijnë edhe ndërtimin e pikave të reja të lidhjes së linjës me rrjetin elektrik.
Referuar dokumentit, qëllimi i investimit është rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe përmirësimi i funksionimit të rrjetit në zonën e Sarandës.
Sipas projektit, pjesa e parë e linjës, në hyrje të Nënstacionit të Sarandës, do të kalojë nën tokë. Kjo ndërhyrje synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të mbrojë linjën në këtë pjesë të saj.
Projekti parashikon gjithashtu që gjatë punimeve të gjendet një zgjidhje e përkohshme për furnizimin me energji të Nënstacionit të Sarandës, në mënyrë që ndërhyrjet të mos cenojnë funksionimin e tij. Në rast dëmtimi të rrjeteve të energjisë, ujit, gazit, telekomunikacionit apo shërbimeve të tjera, ato duhet të riparohen dhe të rikthehen në gjendjen e mëparshme.
Ndërtimi i linjës Sarandë- Xarrë synon përmirësimin e sigurisë së furnizimit, rritjen e qëndrueshmërisë së rrjetit dhe forcimin e infrastrukturës energjetike në zonën e Sarandës./Scantv
