Qeveria ka marrë masa të ashpra për të mbrojtur të miturit nga konsumi dhe varësia e produkteve të duhanit. Ligji i ri i botuar në Fletoren Zyrtare, i cili hyn në fuqi në fillim të muajit Shtator, përcakton se ndalohet shitja ose furnizimi për qëllime tregtimi i produkteve të duhanit, i cigareve, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën moshën 18 vjeç.
Po ashtu ndalohet ofrimi falas ose shitja me ofertë e këtyre produkteve për çdo person nën moshën 18 vjeç. Sipas ligjit të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, cigareve elektronike, shishave/nargjileve personave nën 18 vjeç”.
Nëse subjektet e shitjes me pakicë apo me shumicë nuk zbatojnë këtë detyrim, atëherë sipas ligjit, do të gjobiten deri në 200 mijë lekë dhe do t’u konfiskohen produktet e duhanit, cigareve, cigareve elektronike. Masa administrative në këtë rast është dyfishuar në raport me ligjin ekzistues. Ndërsa nëse këto produkte i tregtohen personave nën 15 vjeç, masa e gjobës është 400 mijë lekë.
