Të gjitha produktet me origjinë nga bujqësia, përfshirë akuakulturën, bletarinë dhe produktet e prejardhura prej tyre, qoftë me synimin për t’u hedhur në tregun shqiptar apo për t’u eksportuar do të certifikohen sipas rregullave të vendosura në ligjin e ri “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”, të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Ndër objektivat për prodhimin organik janë mbrojtja e mjedisit, ruajtja e pjellorisë së tokës, biodiversiteti, si dhe nxitja e aktiviteteve për përmirësimin gjenetik të bimëve që prodhohen sipas metodës së prodhimit organik.
Të gjithë operatorët apo grup-operatorët që do të përfshihen në prodhimin organik duhet të regjistrohen në “E-albania” ku do të përcaktojnë në aplikimin për regjistrim trupën e kontrollit që do të verifikojë nëse aktiviteti i tij/tyre është në përputhje me ligjin. Pas verifikimit, operatori pajiset me certifikatë zyrtare. Operatorët që shesin produkte organike të paambalazhuara direkt te konsumatori ose përdoruesi i fundit përjashtohen nga ky detyrim.
Asnjë produkt OMGJ apo edhe produktet e prodhuara nga ose me OMGJ nuk do të përdoren në produkte ushqimore ose ushqim për kafshë, lëndë ndihmëse në përpunim, produkte për mbrojtjen e bimëve, produkte plehëruese etj., në prodhimin organik. Disa substanca të lejuara me ligj do të përdoren vetëm me qëllim si lëndë vepruese në përmbajtje të produkteve për mbrojtjen e bimëve etj.
Operatorët që përfshihen në prodhimin organik për vjeljen e prodhimeve njoftojnë 48 orë përpara trupën e kontrollit për fillimin e vjeljes së çdo produkti, si dhe duhet të provojnë se parcelat e tokës kanë qenë zona natyrore ose bujqësore, të cilat për një periudhë, të paktën trevjeçare, nuk kanë qenë të trajtuara me produkte apo substanca që nuk lejohen në prodhimin organik.
Ndërsa lidhur me etiketimin e ushqimit të përpunuar, të paktën 95% e peshës së përbërësve bujqësore të produktit duhet të jenë organikë.
Evidentimi i logos kombëtare në prodhimin organik do të jetë “bujqësi shqiptare” kur lënda e parë bujqësore është kultivuar në Shqipëri dhe “bujqësi joshqiptare” kur lënda e parë është kultivuar në vende të tjera, ndërsa logoja evropiane për produkte të importuara. Eksporti i produkteve si produkt organik do të kryhet nëse plotëson kushtet e vendit ku eksportohet.
Ligji parashikon edhe Komisionin për Prodhimin Organik si organ përgjegjës për shqyrtimin e ankesave të masave administrative të vendosura ndaj operatorëve apo grup-operatorëve nga trupa e kontrollit.
Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por efektet e tij do të fillojnë 2 vjet pas hyrjes në fuqi./ekofin.al

