Ligji i ri për inspektimet, i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, parashikon për herë të parë paralajmërimin si dënim administrativ krahas gjobave dhe masave të tjera sanksionuese administrative. Ligji do të zbatohet edhe për unifikimin e rregullave dhe procedurave të kontrollit tatimor në terren për sa nuk bie ndesh me parashikimet e ligjit. Inpektimet në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, kontrollit doganor, inspektimit në industrinë ushtarake dhe lojërat e fatit nuk janë objekt i këtij ligji.
Sa i përket kryerjes së inspektimit, trupa inspektuese do të hetojë vetëm aq sa është e nevojshme për arritjen e qëllimit. Po kështu, dhënia e masës dënuese duhet të jetë proporcionale me shkeljen, ndërsa afati kohor për korrigjimin e shkeljeve duhet të mbajë parasysh rëndësinë, pasojat dhe rrethanat konkrete të shkeljes.
Ligji parashikon gjithashtu se kur dispozitat ligjore, në bazë të të cilave vepron inspektimi, janë të paqarta apo bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, trupa inspektuese vepron në mënyrën që cenon më pak subjektin e inspektimit. Kur subjekti i inspektimit vepron në përputhje me një dispozitë ligjore, që bie në kundërshtim me një dispozitë tjetër të të njëjtit ligj, veprimi i tij nuk konsiderohet shkelje.
Procedura administrative e inspektimit, mund të kryhet në distancë (online) ose me inspektim fizik dhe dokumentohet në E-Albania, në seksionin E-inspektim. Çdo procedurë inspektimi njoftohet më parë (jo më vonë se 10 ditë para fillimit) dhe është e vlefshme vetëm nëse është marrë autorizim, i cili vlen për periudhën e përcaktuar. Kontrolli i pikave kufitare mund të inspektohen pa autorizim, ndërsa në rastet e inspektimit të shkeljeve flagrante, autorizimi nxirret menjëherë nga kryeinspektori, por në rast abuzimesh me të drejtën e autorizimit, ligji parashikon dënim për kryeinspektorin.
Siç ishte njoftuar edhe më parë, paralajmërimi është dënimi administrativ kryesor në inspektimin e parë, si dhe në të gjitha rastet e shkeljeve të kërkesave ligjore dhe shkeljeve të lehta. Ai nuk zbatohet vetëm në rastet e shkeljeve të rënda për të cilat parashikohet masa e pezullimit të aktivitetit. Rregullorja e metodologjisë së përcaktimit të dënimeve miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Ndërsa, sa i përket moskorrigjimit të shkeljeve nga subjektet brenda afatit, aplikohet dënim me gjobë në vlerën nga 30 000 lekë deri në 50 000 lekë si edhe mund të shoqërohet me dënime plotësuese.
Prishja e shenjave dalluese dhe e çdo shenje tjetër të ndalimit të veprimtarisë apo bllokimit të pajisjeve ose të instalimeve, vendosur nga trupa inspektuese, si dhe pengimi i inspektimit, nëse nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë në vlerën nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
Ligji do të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe parashikon në dispozitën kalimtare që marrëdhënia e punës për inspektorët sipas ligjit për nëpunësin civil, do të vijojë sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës dhe në këtë ligj. /ekofin.al

