Pas shpalljes së lumit Vjosa Park Kombëtar, ka reaguar aktori amerikan Leonardo Di Caprio. Si një nga aktivistët më të njohur për mbrojtjen e këtij lumi, përmes një postimi në rrjetet sociale Di Caprio e cilëson historik këtë moment, ndërsa ka përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria shqiptare.
Ai thekson se bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe bizneseve ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë.
Di Caprio shprehet se “lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Tani është një vizion i ri për ruajtjen globale të lumit. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”.
Vendimi për shpalljen e lumit Vjosa Park Kombëtar u mor në 13 mars gjatë mbledhjes së ekzekutivit shqiptar dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Kjo e fundit tha se, “Shpallja Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte një vit më parë si Park Natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Evropë”
Qeveria nuk e ka ende një plan menaxhimi, por do të nisë përgatitjen e tij nga java në vijim. Sipas studimit që të do të bëhet për zonën, do të përcaktohet zona se ku mund të ngrihen veprimtari ekonomike, ndërsa në pjesët ku cenohet lumi dhe krahët e tij nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi.
Vjosa, me një gjatësi 272 kilometra, shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Këto vlera ekologjike dhe kulturore ofrojnë mundësi të mëdha për eko-turizëm dhe përfitime të tjera ekonomike për njerëzit që jetojnë në rajonin përkatës.