Nga Mirilda Tili
Forcimi i lekut ndaj euros nuk është më vetëm një çështje kursi këmbimi. Për Alban Zusin dhe Florian Zekjan, ai po shndërrohet në një problem të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, duke ushtruar presion mbi eksportet, manifakturën, industrinë dhe bujqësinë. Të dy ekspertët, për ekofin.al, ngrenë shqetësimin se një ekonomi që po mbështetet gjithnjë e më shumë te turizmi, ndërtimi, remitancat dhe flukset valutore, rrezikon të dobësojë pikërisht kapacitetet që prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë punësim më të qëndrueshëm.
Për Zusin, ky është një problem i modelit të zhvillimit: forcimi i lekut po bashkohet me tkurrjen e industrisë, dobësimin e bujqësisë dhe rënien e interesit për investime prodhuese. Për Zekjan, goditja është veçanërisht e fortë mbi manifakturën dhe eksportuesit, të cilët po humbasin konkurrueshmërinë, po shohin të tkurren marzhet dhe po përballen me vështirësi në likuiditet.
Shqetësimi i përbashkët është i qartë: nëse kjo tendencë nuk shoqërohet me politika korrigjuese, Shqipëria mund të hyjë në integrimin europian me një bazë prodhuese më të dobët dhe me një ekonomi më pak të aftë për të përballuar konkurrencën.
Zusi: Nuk është më thjesht euroja, por çmimi që po paguan ekonomia
Alban Zusi e vendos problemin në një horizont më të gjerë. Sipas tij, zhvlerësimi i euros është përsëritur në cikle dhe, pavarësisht interpretimit si forcim i monedhës kombëtare, efekti mbi ekonominë reale ka qenë i kundërt për disa sektorë.
“Rezultati i kësaj situate do jetë ai që ka ndodhur tashmë në gjithë këto 5-6 vite sa herë jemi ballafaquar me zhvlerësim të euros”, shprehet Zusi.
Ai argumenton se pas çdo vale të forcimit të lekut Shqipëria është përballur me “rënie të eksporteve, me rënie të investimeve në industri dhe me rritje të valës së zemërimit të fermerëve”.
Problemi, sipas tij, nuk ndalet te bilancet e kompanive. Efekti përcillet në vendimmarrjen për investime, në punësim dhe në demografi, duke ushqyer “tendencën e vazhduar të largimit, të braktisjes së investimeve të bëra edhe të largimit nga vendi” dhe veçanërisht mungesën e interesit të të rinjve për t’u integruar në ekonominë shqiptare.
Në këtë optikë, kursi i këmbimit është vetëm një nga kanalet përmes të cilave ekspozohet një dobësi më e thellë: modeli ekonomik nuk po prodhon mjaftueshëm kapacitete konkurruese jashtë sektorëve të shërbimeve.
Turizmi: rritje e volumit apo dobësim i zinxhirit vendas?
Pikërisht këtu Zusi artikulon një nga kritikat më të forta. Ai vë në pikëpyetje efektin e politikave preferenciale ndaj turizmit dhe aftësinë e këtij sektori për të gjeneruar një efekt të gjerë multiplikues mbi ekonominë vendase.
Sipas tij, “super subvencionimi që i është bërë sektorit të turizmit me 14% të xhiros” nuk ka prodhuar efektet e pritshme në prodhimin vendas, bujqësi dhe agro-industri.
Për Zusin, pyetja nuk është nëse turizmi po rritet. Pyetja është sa nga kjo rritje po përkthehet në kërkesë për prodhimin shqiptar.
Ai argumenton se “turizmi kryesisht po ushqehet me produkte importi” dhe se efekti në punësim mbetet i përqendruar në profesione të shërbimeve.
Nëse turizmi rritet, por industria ushqimore nuk zgjerohet; nëse numri i vizitorëve rritet, por fermeri nuk gjen treg; nëse hotelet shtohen, por zinxhiri i furnizimit mbetet i importuar, atëherë rritja e turizmit nuk shndërrohet automatikisht në zhvillim të thelluar ekonomik.
Ky është argumenti i Zusit: Shqipëria duhet të masë jo vetëm sa rritet një sektor, por sa vlerë ekonomike prodhon dhe sa sektorë të tjerë aktivizon. “Duhet të ndryshojmë hipotezën e zhvillimit”. Për Zusin, zgjidhja nuk është vetëm kompensimi i humbjeve nga kursi i këmbimit. Ai kërkon një riorientim strategjik.
“Ka ardhur momenti që ta ndryshojmë hipotezën e zhvillimit”, deklaron ai.
Në qendër të kësaj hipoteze të re duhet të vendosen “zhvillimi industrial, zhvillimi i prodhimeve, zhvillimi i prodhimit vendas dhe përdorimi i gjithë resurseve tona”.
Kjo do të thotë më shumë përpunim vendas, më shumë lidhje mes bujqësisë dhe industrisë, cikle prodhimi më të mbyllura dhe diversifikim të strukturës së punësimit.
Zusi e shtrin vizionin edhe drejt industrive të reja: riciklimi, ripërdorimi, ekonomia qarkulluese, farmaceutika dhe bioteknologjia.
Në logjikën e tij, Shqipëria nuk duhet të konkurrojë vetëm me koston e lirë të punës. Ajo duhet të ndërtojë kapacitete prodhuese, teknologjike dhe njerëzore me vlerë të shtuar.
Zekja: Manifaktura po paguan faturën e lekut të fortë
Florian Zekja e vendos theksin te sektori që ndien më drejtpërdrejt asimetrinë mes kostove vendase dhe të ardhurave në euro.
“Përballë një rënieje të euros me rreth 35% gjatë viteve të fundit, dëmi i shkaktuar ndaj Manifakturës, por edhe ndaj të gjithë sektorëve eksportues, është i pallogaritshëm”, thotë ai.
Zekja pranon se forcimi i lekut ushqehet nga faktorë të njohur, ndër ta turizmi, tregu imobiliar, remitancat dhe investimet e huaja. Por ai tërheq vëmendjen edhe te faktorë më pak të dukshëm: euroizimi i lartë, përdorimi masiv i cash-it dhe ekonomia informale.
Pasojat, sipas tij, janë tashmë të dukshme në strukturën e biznesit eksportues: humbje konkurrueshmërie, tkurrje marzhesh, probleme likuiditeti dhe vështirësi në përmbushjen e detyrimeve fiskale.
“Humbja e konkurrueshmërisë dhe dalja graduale nga tregu rajonal”, së bashku me “tkurrjen e marzheve të fitimit” dhe vështirësitë në likuiditet, janë ndër pasojat që ai veçon.
Për një sektor që operon me kontrata ndërkombëtare dhe çmime të përcaktuara nga tregu, kjo është një goditje strukturore: eksportuesi shqiptar merr të ardhurat në një valutë që po dobësohet, ndërsa një pjesë e kostove të tij mbeten në lekë.
Nga mbijetesa te transformimi
Zekja nuk propozon thjesht një paketë shpëtimi për Manifakturën. Ai kërkon që ndërhyrja publike të përdoret si urë drejt transformimit teknologjik.
“Për të zvogëluar humbjet dhe për të shpëtuar sektorin, nevojiten masa emergjente, jo vetëm për të frenuar këtë hemorragji, por edhe për të krijuar kushtet për rimëkëmbjen dhe transformimin e tij”, shprehet ai.
Dhe koha, sipas tij, është kritike për një arsye tjetër: integrimi europian.
Anëtarësimi në BE nuk do të jetë vetëm zgjerim tregu. Do të sjellë standarde më të larta, nevojë për automatizim, investime në teknologji, produktivitet më të lartë dhe konkurrencë shumë më intensive.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse biznesi shqiptar mund të mbijetojë sot. Pyetja është nëse ai do të jetë mjaftueshëm produktiv për të konkurruar nesër. /ekofin.al
