Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria po përmirëson kuadrin ligjor me qëllim krijimin e një ambienti më të përshtatshëm, në mënyrë që produktet “Made in Albania” të zhvillohet dhe ndërkombëtarizohet.
Në fjalën e saj në seancën e sotme plenare teksa po diskutohej mbi marrëveshjen bilaterale me Norvegjinë në fushën e bujqësisë, përmes së cilës i hapet rrugë aplikimit të rregullave tranzitore të origjinës, Ibrahimaj tha se thjeshtimi i procedurave është i nevojshëm të mbështetet me politika tregtare të jashtme në mënyrë që bizneset të rrisin eksportet e produkteve shqiptare.
“Prodhuesit shqiptarë të produkteve bujqësore që eksportojnë në Norvegji, të cilët përdorin materiale apo lëndë të parë të importuar nga vendet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje të tregtisë së lirë, kanë mundësi që duke përdorur këto rregulla tranzitore origjine të mund të marrin statusin si produkte shqiptare dhe të eksportojnë këto produkte me taksë doganore zero në Norvegji”, deklaroi Ibrahimaj.
Shqipëria ka ndjekur një politikë konstante të hapjes së ekonomisë së saj drejt tregjeve globale dhe në funksion të rritjes së eksporteve shqiptare.
Në krahasim me vitin 2013 masat që kemi marrë ndër vite për të rritur eksportet tona, kanë rezultuar në rritje prej rreth 52% të vlerës së eksporteve, në saj të politikës sonë të hapur tregtare.