Ministria e Financave pritet të ndërmarrë gjatë muajit qershor një sërë lehtësish sa i përket tatimit për të punësuarit. Siç është paralajmëruar më herët edhe nga Ministri i Financave pritet të rritur kufiri i pagave mbi të cilin nis aplikimi i fashës së taksimit 23%. Kjo do të bëjë që personat e kategorizuar si shtresa e mesme, me paga bruto më të larta se 200,000 lekë të kursejnë më shumë para nga taksimi.
Aktualisht sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat i cili hyri në fuqi në Janar të këtij viti, të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive nga 13-23 për qind në bazë vjetore. Pra, të ardhurat, nga 0 – 2 040 000 lekë tatohen në bazë vjetore me një normë prej 13% dhe të ardhurat vjetore mbi 2 040 000 lekë tatohen me 23%.
Me ndryshimet ligjore, që pritet të propozojë Ministria e Financave, pritet të rritet në 2,640,000 vlera vjetore e të ardhurave bruto mbi të cilën do të nisë të llogaritet tatimi 23%. E përkthyer në të ardhura mujore, kjo do të rriste nga 200,000 lekë që është aktualisht në 250,000 lekë bruto nivelin dysheme mbi të cilin nis aplikimi i shkallës më të lartë të progresivitetit të tatimit, raporton ekofin.
Po ashtu, një tjetër diskutim i cili është në tryezë lidhet me lehtësimin e të punësuarve të rinj, për të incenvituar më tej përfshirjen e tyre në tregun e punës. Për të rinjtë deri në 29 vjeç po diskutohet që me plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), duke nisur që vitin e ardhshëm, t’u zbritet një shumë prej 100,000 lekësh nga tatimi.
Gjithashtu, parashikohet që të akordohet një lehtësim më i madh për të punësuarit familjarë me fëmijë. Aktualisht, zbatohen zbritje të shpenzimeve nga të ardhurat e krijuara nga punësimi dhe një prej tyre është kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim individit më pak se 18 vjeç, prej 48 mijë lekësh. Diskutohet që kjo shumë të rritet më tej për çdo fëmijë në ngarkim. Ekofin.al
