Investors Support Days 2025 u mbyll me takimin e dedikuar investitorëve amerikanë, pas sesioneve të zhvilluara me Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ngjarje përmbyllëse nënvizoi rëndësinë e investimeve amerikane dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për të modernizuar shërbimet ndaj investitorëve të huaj, duke e bërë Shqipërinë më konkurruese dhe më tërheqëse për kapital ndërkombëtar.
Drejtoresha e AIDA-s, Laura Saro, zbuloi se agjencia do të lançojë platformën e re digjitale Aftercare, një aplikacion i orientuar drejt mbështetjes së investitorëve ekzistues dhe të rinj.
“Vitin tjetër po lancojmë platformën digjitale Aftercare, një aplikacion të dedikuar për investitorët e huaj. Qëllimi ynë është që çdo investitor të ndihet i mbështetur dhe të dijë se në Shqipëri mund të bëhet biznes në mënyrë profesionale dhe transparente,” tha Saro.
Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, prezantoi faktorët kryesorë që e bëjnë Shqipërinë konkurruese, që sipas tij janë rritja ekonomike e qëndrueshme, një sistem tatimor plotësisht i digjitalizuar, përmirësimi i procedurave doganore që prej 2018, si edhe thjeshtim administrativ dhe lehtësi për të bërë biznes.
“Nëse do të isha një investitor amerikan, potenciali i tregut dhe thjeshtësia e operimit do të ishin dy arsyet kryesore për të investuar në Shqipëri,” tha zvministri.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Neritan Mullaj, paraqiti një set rekomandimesh për përmirësimin e klimës së investimeve, që kanë të bëjnë me harmonizimin me standardet e BE-së, zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, thjeshtim i procedurave administrative, forcim i luftës kundër korrupsionit, modernizimi i legjislacionit tatimor dhe Kodit të Punës, si edhe investime në kapitalin njerëzor dhe turizëm të qëndrueshëm
Ky set rekomandimesh synon të rrisë konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon dhe të tërheqë më shumë investime amerikane.
Takimi me biznesin amerikan shënoi përmbylljen e ciklit Investors Support Days, organizuar nga AIDA, i cili këtë vit u fokusua në tre partnerë kryesorë ekonomikë Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto tryeza krijuan një platformë të konsoliduar dialogu për investitorët e huaj në Shqipëri dhe vendosën bazat e një qasjeje të re të koordinuar ndaj shërbimeve të investitorëve. /ekofin.al
