Në Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku u nënshkruan marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, si edhe Forumin Shqipëri-Turqi, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) u shfaq si një ndër aktorët kryesorë në promovimin e potencialeve të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm për investime. Me një rol të dukshëm në organizimin e aktiviteteve dypalëshe dhe rajonale, si edhe në nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete me kompani ndërkombëtare, AIDA po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si urë lidhëse mes investitorëve të huaj dhe tregut shqiptar.
Në këtë intervistë për Ekofin.al, Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, znj. Laura Saro, flet për rezultatet e forumit, rolin e Shqipërisë në nismat e përbashkëta rajonale, interesin në rritje të investitorëve të huaj, si dhe projektet më të fundit që po zhvillohen në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve për bizneset dhe investitorët.
Forumi i Investimeve BE–Ballkani Perëndimor solli një numër të lartë nënshkrimesh dhe marrëveshjesh strategjike. Cili ishte roli konkret i AIDA-s në këtë forum dhe çfarë mundësish të reja hapen për investitorët që kërkojnë të hyjnë në tregun shqiptar?
Në Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, AIDA luajti një rol kyç në promovimin e mundësive të investimeve në Shqipëri. Konkretisht, AIDA organizoi side eventin “IPAs Connect”, që mblodhi për herë të parë agjencitë e promovimit të investimeve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (FIPA; KIESA; Invest North Macedonia; MIA; RAS) dhe disa vende të Europës, dukë përfshirë ndër të tjera përfaqësues nga Franca, Gjermania, Italia, Hungaria, Cekia duke krijuar një platformë për bashkëpunim rajonal.
Gjithashtu, AIDA kishte rol koordinues në panelet sektoriale të ditës së dytë, të cilat u fokusuan në pesë sektorët kryesorë: Manifaktura dhe Lëndët e Para, Energjia, Teknologjia Digjitale, Bioekonomia, Mikpritja & Ekonomia Qarkulluese.
Gjatë forumit, AIDA nënshkroi dy Letters of Intent nga gjithsej 7 të nënshkruara: me CWP Europe, për Solar Farm dhe Battery Energy System Storage në Mal të Zi dhe Wind Farm në Shqipëri, dhe me Titan Cement Group, për zgjidhje Waste-to-Heat në Shqipëri.
Ky rol i AIDA-s krijoi mundësi konkrete për investitorët, duke ofruar partneritete strategjike, akses në sektorë me potencial të lartë dhe mbështetje praktike për investime në Shqipëri. huaja.
Si e shihni rolin e Shqipërisë në kuadër të nismave të përbashkëta të rajonit — si “korridori digjital”, infrastruktura energjetike apo investimet e gjelbra — në tërheqjen e kapitalit të huaj direkt?
Roli i Shqipërisë në këto nisma është thelbësor për integrimin rajonal dhe për rritjen e atraktivitetit të vendit për investitorët e huaj. “Korridori digjital” mes Shqipërisë dhe Kosovës fillimisht, krijon lidhje teknologjike që ulin kostot e biznesit dhe rrisin konkurrueshmërinë. Sa i përket projekteve në infrastrukturën energjetike, si ankandet fotovoltaike dhe eolike të finalizuara me sukses por dhe investimet private si parku eolik në Tropojë krahas investimeve në linjat dhe rrjetet ekzistues, do të forcojnë sigurinë energjetike dhe diversifikimin e burimeve, duke e bërë vendin më të pavarur por dhe eksportues potencial të energjisë. Ndërkohë, investimet e gjelbra përputhen me prioritetet e BE-së dhe tranzicionin energjetik si dhe ndihmojnë Shqipërinë të pozicionohet si një treg në zhvillim që ndjek standardet e qëndrueshmërisë. Në tërësi, pjesëmarrja aktive e vendit në këto nisma e kthen vendin në një nyje bashkëpunimi dhe një destinacion më tërheqës për kapitalin e huaj direkt.
Forumi i Investimeve Shqipëri–Turqi theksoi interesin e kompanive turke për sektorë si ndërtimi, turizmi, bujqësia dhe energjia. Cilat janë prioritetet që AIDA po adreson për të kanalizuar këtë interes në projekte konkrete?
AIDA po punon për të kanalizuar interesin e kompanive turke drejt projekteve konkrete që përputhen me prioritetet kombëtare të zhvillimit ekonomik.
Synojmë të realizojmë hartimin e “Ofertave Konkrete” për investitorët në fushat prioritare si turizmi, energjia e rinovueshme, bujqësia dhe ndërtimi.
Në këtë mënyrë duam të orientojnë investimet e huaja drejt projekteve të qëndrueshme, të matshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
A ka projekte të përbashkëta që tashmë janë në proces ose në fazë studimi mes investitorëve turq dhe institucioneve shqiptare, të lehtësuara nga AIDA?
Aktualisht AIDA është duke lehtësuar disa projekte investimesh nga kompani turke.
Në sektorin e bujqësisë, që synon zhvillimin e zinxhirit të vlerës agropërpunuese etj . janë ende në fazë asistimi. Kur të ketë diçka me konkrete, të dhënat do të bëhen publike.
Si po e ndihmon AIDA procesin e digjitalizimit të shërbimeve ndaj investitorëve dhe sa i rëndësishëm është ky element për të përmirësuar renditjen e Shqipërisë në raportet ndërkombëtare të të bërit biznes?
Digjitalizimi është një nga prioritetet e AIDA-s në funksion të rritjes së efikasitetit dhe transparencës ndaj investitorëve. Aktualisht janë në zhvillim disa procese:
Platforma e-invest, e cila do të shërbejë si një dritare unike digjitale për të shmangur vonesat institucionale në procesin e investimit.
Aplikacioni Aftercare, që do të mbështesë investitorët ekzistues pas vendosjes së tyre në Shqipëri, duke lehtësuar komunikimin me institucionet dhe ndihmuar në zgjidhjen e nevojave të tyre operacionale.
Po zhvillojmë gjithashtu edhe një platformë tjetër në kuadër të digjitalizimit, të cilën do ta bëjmë publike së shpejti.
Këto iniciativa janë thelbësore për të përmirësuar klimën e biznesit, për të rritur transparencën dhe besueshmërinë ndaj investitorëve të huaj, dhe për të forcuar pozicionin e Shqipërisë në raportet ndërkombëtare të të bërit biznes. /ekofin.al
