Shqiptarët vijojnë të shohin vendet e Bashkimit Evropian si një mundësi më e mirë punësimi dhe përmirësimi të jetesës. Këtë e tregojnë edhe shifrat e publikuara nga “EUROSTAT”, ku në katër vitet e fundit janë lëshuar 75 mijë leje qëndrimi për qytetarët shqiptarë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Bashkimit Evropian, Shqipëria renditet e 16-ta për numrin e lartë të kërkesave për leje qëndrimi, ku 33.8% e lejeve të lëshuara në katër vitet e fundit janë për punësim. Kjo dukuri tregon dëshirën e shqiptarëve për të përmirësuar jetesën dhe kërkimin e një karriere më të mirëpaguar në shtetet më të zhvilluara, por njëkohësisht duhet të shërbejë edhe si një këmbanë për hartimin e politikave më të mira të punësimit për të shmangur largimin masiv të të rinjve.
Të dhënat e Censit për vitin 2023 treguan se gjatë 12 viteve të fundit popullsia ishte pakësuar me 420 mijë banorë dhe se mosha mesatare ishte ishte rritur 35 vjeç në vitin 2011 në 42 në vitin 2023, duke lënë të kuptohet se janë pikërisht grupmoshat e reja, ato që kërkojnë leje për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian.

