Të paktën 250,000 njerëz kanë hyrë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan ditët e fundit për t’i bërë nderimet e fundit Papa Françeskut.
Papa u përcoll sot për në banesën e fundit, ndërsa arkëmorti i tij u vendos në Sheshin e Shën Pjetrit në fillim të meshës mortore.
Në ceremoni morën pjesë liderët botërore nga 150 vende të botës, përfshirë Presidentin Donald Trump, ish-Presidentin Joe Biden dhe bashkëshorten e tij, Presidentin Zelensky etj. Delegacioni shqiptar ishte gjithashti i pranishëm me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, që e ka cilësuar Papën një mik të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, si dhe ministra të tjerë.
Të pranishëm gjithashtu dy princa të kurorës, duke përfshirë Princin William, bashkëshortë të krerëve të shteteve, ministra, presidentë dhe drejtues të institucioneve të mëdha ndërkombëtare.
Në ceremoni morën pjesë 220 kardinalë, 750 peshkopë dhe më shumë se 4,000 priftërinj. Mijëra qytetarë nxituan drejt Vatikanit që në orët e para të mëngjesit. Shumë prej tyre ngritën kampe për të siguruar vende në krye të turmës për ceremoninë.
Papa që ndryshoi rregullat
Papa Françesku karakterizohej nga përulja, të cilën e shfaqi edhe në dëshirën për një varrim modest. Më herët në 2024, ai ndryshoi rregullat e mëparshme sipas të cilave riti mortor kërkont tri arkivole, dy prej selvie dhe lisi, si dhe një prej plumbi, njëri brenda tjetrit.
Tashmë, me rregullat e reja, papët tani mund të varrosen në një arkivol të vetëm prej druri, të veshur me zink.
Papa gjithashtu kërkoi të varroset jashtë Vatikanit, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Françesku është papa i parë që varroset atje që nga vitet 1600 dhe i pari në më shumë se 100 vjet që do të varroset jashtë Vatikanit.
Zgjedhja e Papës së ri (konklava)
Procedura për zgjedhjen e papës së ri bëhet sipas rregullave të përcaktuara nga “Universi Dominici Gregis”, “Conclave”, nga latinishtja “mbyllur me çelës”.
Rregulli kërkon që të jetë nga dita e 15-të pas vdekjes së Papës e jo më vonë se dita e 20-të.
Sipas përllogaritjes, me shumë mundësi konklave për zgjedhjen e Papës së ri do të nisë midis 5 majit dhe jo më vonë se data 20 maj.
Kardinalë që kanë të drejtë votë nën moshën 80 vjeç janë 135 nga 253 që ka Kisha Katolike Romake.
