Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro dhe 24 vota kundër projektbuxhetin për vitin 2025.
Buxheti i vitit 2025, konsiderohet 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, duke planifikuar 822,7 miliardë lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 754,6 miliardë lekë.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti 34 amendamente në buxhet gjatë seancës së sotme, të cilat u rrëzuan nga mazhoranca.
“Shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që meritojnë dhe atë që i është premtuar prej 12 vitesh. Refuzimi me votë i amendamenteve të grupit parlamentar i PD për rritjen e pensioneve dhe parashikimin në ligj të bonusit të fundvitit 2025, tregon edhe një herë që mazhoranca socialiste punon për mirëqenien e vet dhe jo për mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh kreu i grupit parlamentar, të PD-së, Gazment Bardhi.
Për ministrin e Financave, Petrit Malaj, opozita nuk i ka të mbështetura financiarisht propozimet për amendamente në buxhet dhe nëse do të miratoheshin ato, borxhi publik do të shkonte në nivelin mbi 73,7 %, ndërsa deficiti buxhetor 20%.
“Janë shqyrtuar amendamentet e opozitës për projektbuxhetin e opozitës. Kemi bërë një përllogaritje të përafërt, duke përfshirë edhe minimumin prej 200 mijë lekësh dhe nevojiten 4-5 miliardë euro. Ajo që kërkoni ju është në fakt një buxhet i dytë“, tha Malaj.
Sipas tij, nga 5 miliardë euro amendamente opozita, vetëm 6% mbulon me propozimet e saj.
“Me pak fjalë ajo që propozoni ju, është një buxhet piramidal. Kjo qeveri nuk është qeveri piramidash, por qeveria që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, me shumë mbrojtje sociale, më shumë investime publike dhe një qeveri që garanton më pak borxh për brezat e ardhshëm”, tha ai.
Buxheti për vitin 2025 synon të përmbushë dy objektiva themelorë: Rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë; si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskalë në nivele pozitive.
Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.
Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë, ose 6,2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën.
Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.
Për vitin e ardhshëm qeveria synon një nivel borxhi prej 55,8% të PBB-së, nga 56,3% që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024.
Gjithashtu sigurimi i një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, mbetet një prioritet i saj.
Buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërsa nuk parashikon rritje pagash.
Sakaq, Partia Demokratike propozoi dhe argumentoi gjatë punimeve sot në Kuvend 34 amendamente.
1. Pezullimin e të gjitha prokurimeve për investime publike luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e miratimit me ligj të masës financiare të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë – SALI BERISHA
2. Ndalimin e çdo pagese për shpenzime operative luksi të qeverisjes qendrore, deri në momentin e rritjes reale të pensioneve – SALI BERISHA
3. Caktimin e minimumit jetik 200 euro (20 mijë lekë) – FLAMUR NOKA
4. Rritja e pensioneve 5-fishimi i fondit të propozuar (nga 1.6 ne 8 miliardë lekë) – GAZMENT BARDHI
5. Parashikimi i fondeve për bonusin e vitit 2025 për pensionistët – GAZMENT BARDHI
6. Rritja e fondeve për ish- pronarët – OERD BYLYKBASHI
7. Trefishimi i fondeve per ish të përndjekurit (nga 1.2 miliardë lekë në 4.2 miliardë lekë). – GRETA BARDELI
8. Rritja me 1% të PBB-së të buxhetit të arsimit (rritje graduale me 1% çdo vit). – EDMOND SPAHO
9. Rritja me 1% të PBB-së të buxhetit te shëndetësisë (rritje graduale me 1% çdo vit). – TRITAN SHEHU
10. Pezullimi i pagesave buxhetore për tre PPP-të në shëndetësi (perveç dializës). – ALBANA VOKSHI
11. Shtimin e fondit prej 1 miliard lekë për qeset tumorale – ALBANA VOKSHI
12. Shtimin e 0.5 miliard lekë për rimbursimin LMC – ALBANA VOKSHI
13. Rritja me 10% e pagave të gjithë administratës publike (perveç pagave të drejtuesve të lartë). – SORINA KOTI
14. Rritja me 20% te pagave në shëndetësi. – SORINA KOTI
15. Rritja me 20% të pagave te mësuesve dhe pedagogëve. – INA ZHUPA
16. Kërkimi shkencor, fond të dedikuar prej 2 miliardë lekë. – INA ZHUPA
17. Rritja e fondeve të ilaçeve të onkologjikut (10% të akcizave duhan alkool, jo më pak se 15 mln euro shtesë). – ZHENI GJERGJI
18. Rritja me 50% të fondeve për barnat e rimbursueshme (60 mln euro shtesë). – ZHENI GJERGJI
19. Rritja e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, nga 1% ne 1.5% te GDP-së (shtesë 13 miliardë lekë). – XHELAL MZIU
20. Pakete mbështetëse financiare për prodhuesit vendas 5 miliardë lekë (kompensim nga shfuqizimi i euros). – JORIDA TABAKU
21. 120 mln euro subvencione për fermerët, blegtorët dhe agroindustrinë. – BLEDION NALLBATI
22. Përgjysmimi i shpenzimeve operative të qeverisjes qëndrore (pa cenuar shpenzimet jetike, sigurisë dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë). – EMILIA KOLIQI
23. Trefishimi i fondeve për mirëmbajtjen e rrugëve. – FLAMUR HOXHA
24. Pagesë për paruke dhe materialet e tjera të nevojshme për zonjat që vuajmë nga sëmundje të kancerit – NJË GRUP ZONJASH DEPUTETE TË PD
25. Shtesë 3 miliard lekë për të përballuar efektet financiare të pensionit të minatorëve – TRITAN SHEHU
26. Pezullimin e pagesave për të gjitha PPP dhe koncesionit, dhe fondet të shkojnë për ndërtim shkolle, hapjen e nyjeve lidhëse me autostradën Thumanë-Kashar, për programe mbështetëse për të rinjtë, për fëmijët, dhe për arsimin profesional – ANDIA ULLIRI
27. Ndalimin e menjëhershëm të pagesave për inceneratorët që nuk ekzistojnë apo janë jashtë funksioni – LUAN BAÇI
28. Shtimin e 500 milion lekë për të mbuluar kostot direkte që pacientet duhet të përballojnë gjatë trajtimit të tyre shëndetësor dhe mjekësor për logopedi, fizioterapi apo mbështetje psiko-sociale – ERALDA BANO
29. Shtimin e 1 miliard lekë për një mbështetje konkrete financiare për studentët me të ardhura familjare të ulta, dhe sidomos të studentëve që vijnë nga familje që të ardhurat i kanë në nivelet e pagës minimale, si dhe për të caktuar dhe paguar vlerën financiare të dietës ushqimore për mësuesit dhe punonjësit psiko-sociale që punojnë në distancë të konsiderueshme nga vendbanimi i tyre – ERALDA BANO
30. Dyfishimi i fondit të bonusit të lindjeve për vitin 2025 në vlerën prej 4.5 miliardë lekë dhe në vijim ky fond të indeksohet çdo vit në masën sa norma indeksit të çmimeve të konsumit – LINDITA METALIAJ
31. Fondi i kontingjencës prej 5 miliardë lekë do të shpërndahet si kompensim financiar ndaj banorëve pronat e të cilëve janë përmbytur ne vitin 1975 nga Hec Fierzës – ISUF ÇELA dhe FLAMUR HOXHA
32. Rritjen me 2.5 miliardë leke të buxhetit 2025 per Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me qëllim përballimin e kostove te punësimit të 2500 logopedëve për Femijët me Autizëm – ELDA HOTI
33. Financimi nga të ardhurat e privatizimeve të ish të përndjekurve politik – BUJAR LESKAJ
34. Shtimi i fondeve për të përndjekurit në masën jo më pak se 0.2 % e PBB – BUJAR LESKAJ.


