Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një paketë rekomandimesh drejtuar Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2025, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes dhe përmirësimin e performancës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në vend.
Rezoluta i kërkon ndër të tjera ERRU-së të mos miratojë kërkesat nga shoqëritë rajonale të ujësjellësit për rritje tarifash nëse ato nuk plotësojnë planet e investimeve për konsumatorët.
Rritja e bashkëpunimit dhe stabilitetit sektorial
Kuvendi kërkon që ERRU të luajë një rol aktiv dhe koordinues me të gjithë aktorët e sektorit të ujit për zbatimin e objektivave strategjikë dhe për krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për shoqëritë UK, duke siguruar shërbim të përmirësuar për qytetarët.
Siguria e infrastrukturës dhe sistemet inteligjente të monitorimit
ERRU duhet të nxisë dhe të promovojë, në bashkëpunim me AKUK-un, vendosjen e sistemeve inteligjente të monitorimit dhe mbrojtjes perimetrale, siç janë kamerat e sigurisë dhe sistemet me sensorë. Këto synojnë rritjen e sigurisë së infrastrukturës kritike dhe uljen e kostove operative, duke marrë si shembull projektet e suksesshme në shoqëritë rajonale të Fierit dhe Durrësit.
Funksionalizimi i sistemit të informacionit IPIS
Një tjetër prioritet është vënia në funksion e Sistemit të Integruar të Informacionit të Performancës (IPIS) brenda vitit 2025, në bashkëpunim me AKUK-un.
Ky sistem do të mundësojë unifikimin dhe saktësinë e të dhënave që raportohen nga shoqëritë UK, duke shërbyer si bazë për politika zhvillimore më të mirëplanifikuara.
Metodologjia e re e tarifave dhe analiza e performancës
Pas aplikimeve të para për tarifa të reja nga 6 shoqëri rajonale, Kuvendi i kërkon ERRU-së të asistojë shoqëritë e tjera gjatë procesit të miratimit të tarifave sipas metodologjisë së re.
Përpara vendosjes së objektivave të performancës, ERRU duhet të kryejë analiza tekniko-ekonomike të detajuara dhe të mos miratojë rritje tarifash në rastet kur objektivat nuk arrihen.
Trajtimi i ankesave të konsumatorëve
Krijimi i shoqërive rajonale ka sjellë sfida të reja në raport me konsumatorët. Kuvendi kërkon që ERRU të intensifikojë monitorimin e ankesave, veçanërisht atyre me natyrë teknike që ndikojnë në cilësinë e furnizimit me ujë.
Po ashtu, ERRU duhet të përmirësojë komunikimin publik, duke e bërë faqen zyrtare dhe rrjetet sociale më të aksesueshme për konsumatorët, me theks tek informacioni mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre dhe formularin online të ankesave.
Reduktimi i “ujit pa të ardhura” dhe auditimi energjetik
Një tjetër prioritet është redukimi i ujit pa të ardhura, përmes instalimit të matësave në burim dhe plotësimit të 100% të klientëve me matësa individualë. Kjo masë ndikon në rritjen e eficiencës, uljen e kostove dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi kërkon kryerjen e një auditimi të detajuar për efiçiencën e energjisë në të gjitha shoqëritë rajonale UK, me qëllim identifikimin e mënyrave për uljen e konsumit dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.
Objektiva më agresivë për matjen dhe monitorimin
ERRU duhet të vendosë objektiva më kërkues për rritjen e nivelit të matjes në shoqëritë që aplikojnë për tarifa të reja dhe të monitorojë nga afër zbatimin e tyre, duke i lidhur drejtpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe indikatorëve. /ekofin.al

