Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot në seancë plenare kandidaturën e Saimir Tola për postin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Kandidatura ishte propozuar më parë nga Komisioni i Ekonomisë.
Saimir Tola ka përfunduar studimet bachelor në vitin 2009 në Universitetin Politeknik të Tiranës, për matematikë të aplikuar, ku edhe ka ndjekur masterin për të përfunduar në të njëjtën fushë në vitin 2011. Në shtator 2016 ka marrë gradën Doktor dhe më pas në 2022 Profesor i Asociuar.
Nga viti 2011 ai ka qënë lektor me kohë të plotë i analizës numerike në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku vijon edhe aktualisht. Ndërsa më parë ka shërbyer edhe si anëtar i bordit drejtues të Insig Maqedoni, nga viti 2014 deri në vitin 2016, ku siç u shpreh edhe vetë gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë, ka arritur të fitojë eksperiencë nga fusha e sigurimeve.
Në garë bashkë me të ishin edhe 5 kandidatë të tjerë, të gjithë me formim dhe eksperienca të ndryshme, Artur Ribaj, Emis Cerava, Julian Naqellari, Petrit Perhati dhe Valbona Sanxhaktari.
Gara u rihap pas rrëzimit të Melanit në seancë
Kuvendi i Shqipërisë rihapi në mesin e muajit nëntor aplikimet për pozicionin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë edhe postin e kryetarit. Rihapja e vendit vakant erdhi pasi në 17 tetor deputetët rrëzuan në seancë plenare kandidaturën e vetme të propozuar nga Komisioni Ekonomisë dhe Financave, atë të Pajtim Melanit.
Fillimisht, ky pozicion ishte shpallur vakant nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 22 korrik, pas përfundimit të mandatit të Olsi Çokut.
Kryetari i Bordit të AMF-së është anëtar joekzekutiv dhe jo me kohë të plotë. Sipas ligjit, Kryetari i Bordit ka kompetencë të thërrasë dhe drejtojë mbledhjet e Bordit, të paraqesë rendin e ditës, të urdhërojë ngritjen e komiteteve të kontrollit, objektin e punës, si dhe afatet për shqyrtimin e çështjes, t’i propozojë Bordit ngritjen e komiteteve këshillimore, me qëllim hartimin e politikave për mbarëvajtjen e punës së Autoritetit, si edhe kompetenca të tjera, të akorduara me vendimmarrje të vetë Bordit.