Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve për pezullimin e vendimit për rritjen e çmimeve të referencës së apartamenteve në Tiranë, në fuqi nga 26 korriku i vitit të kaluar.
Kushtetuesja pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës për pezullim. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj deklaroi mbylljen e procesit gjyqësore, teksa pohoi se trupa e gjyqtarëve tërhiqet për vendimin përfundimtar. Shpallja e vendimit përfundimtar, pra nëse do të shfuqizohet apo jo vendimi me çmimet e reja të referencës, do të komunikohet sipas parashikimeve ligjore.
“Në lidhje me kërkesën për pezullim, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës për pezullim, pasi nuk u provuan pasojat e pariparueshme që sjell zbatimi i VKM nr.457 2023, në kuptim të nenit 45 të ligjit Organik të Gjykatës Kushtetuese. Deklarojmë mbylljen e procesit gjyqësor. Trupa e Gjykatës tërhiqet për të marrë vendim. Dita dhe ora e shpalljes së vendimit do t’u komunikohet sipas parashikimeve ligjore”, u shpreh Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
Çmimet e reja të referencës hynë në fuqi në fund të korrikut të vitit të kaluar dhe ato ishin për kryeqytetin dhe zonat përreth tij. Qeveria ka deklaruar se është duke rishikuar gjithashtu edhe referencat sidomos në bregdet, aty ku në fakt vlera e pronave është rritur ndjeshëm, por referencat mbeten të pandryshuara.
Shoqata e Ndërtuesve e dërgoi vendimin në Kushtetuese, me pretendimin se atyre u janë rritur ndjeshëm kostot dhe se në fund kjo do të sillte shkarkim të tyre te konsumatorët, me rritje të mëtejshme të çmimeve. Por përsëri agumentat e tyre u cilësuan jo të plota nga Kushtetuesja, që e rrëzoi sot kërkesën. /ekofin.al
