Çmimet e karburanteve në të gjithë Evropën janë në rritje të fortë, ndërsa taksat përbëjnë më shumë se gjysmën e kostos në pompë në shumë vende. Euronews Business analizon se si diferencat në taksa bëjnë që drejtuesit e mjeteve në disa vende të paguajnë shumë më tepër se në të tjera.
Çmimet e benzinës dhe naftës në Evropë janë rritur paralelisht me kostot globale të naftës për shkak të luftës në Iran dhe ndërprerjeve që prekin furnizimet nga vendet e Gjirit.
Nafta Brent arriti përkohësisht në 119 dollarë për fuçi dy herë që nga goditjet e përbashkëta SHBA–Izrael ndaj Iranit në fund të shkurtit. Efektet e luhatjeve të çmimeve po ndihen tashmë nga familjet në të gjithë kontinentin, ku taksat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të çmimit final.
Sa nga çmimi i naftës është taksë?
Pra, ku paguajnë konsumatorët më shumë taksa për karburantin në Evropë? Sa pjesë e çmimit të benzinës dhe naftës shkon për taksa? Dhe cilat janë vendet më të shtrenjta dhe më të lira?
Treguesi kryesor është pesha e taksave totale, përfshirë akcizën dhe TVSH-në, në çmimin e karburantit.
Sipas përllogaritjeve të Euronews Business, bazuar në të dhënat e Komisionit Europian deri më 16 mars 2026, taksat përbëjnë më shumë se gjysmën e çmimit të benzinës (Euro-super 95) në BE.
Brenda BE-së, kjo peshë varion nga 43.9% në Bullgari deri në 57.8% në Slloveni, ndërsa 20 shtete anëtare kanë taksa që përbëjnë mbi 50% të çmimit të benzinës. Mesatarja e BE-së është 52.1%, ndërkohë në Shqipëri është 50%.
Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Italia ka peshën më të lartë të taksave me 55%, e ndjekur nga Gjermania me 54.5%, Franca me 53% dhe Spanja me 45%.

Për naftën (diesel), barra fiskale është më e ulët, me një mesatare prej 44.6% në BE. Vetëm katër vende kanë taksa mbi 50%: Malta me 54.3%, Italia me 51.1%, Irlanda me 50.6% dhe Sllovenia me 50.1%.
Pesha e taksave është nën 40% në Estoni (37.6%), Spanjë (38%), Suedi (38.5%) dhe Bullgari (39.7%).
Italia mbetet vendi me peshën më të lartë të taksave për diesel (51.1%), ndërsa Franca (46.8%) dhe Gjermania (45.4%) janë pranë mesatares së BE-së. Spanja, me 38%, ka një nga nivelet më të ulëta.
Renditjet ndryshojnë mes benzinës dhe naftës. Greqia renditet e katërta për taksat mbi benzinën, por e 20-ta për diesel. Finlanda dhe Holanda renditen rreth dhjetë vende më lart për benzinën sesa për diesel, ndërsa Lituania është e 18-ta për benzinën dhe e 8-ta për diesel.
Normat e taksave kundrejt shumës reale të paguar
Shuma totale e taksave në euro mund të ndryshojë nga përqindja, pasi çmimet pa taksa ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve. Për shembull, Sllovenia ka normën më të lartë të taksave për benzinën (57.8%), por konsumatorët paguajnë rreth 0.83 euro për litër, duke u renditur vetëm e 17-ta në BE në terma absolutë.
Taksat për litër variojnë nga 0.58 euro në Bullgari deri në 1.24 euro në Holandë. Mesatarja e BE-së është 0.96 euro, ndërsa mbi 1 euro paguhet në Danimarkë, Gjermani, Finlandë, Greqi, Irlandë dhe Francë.

Duke parë çmimet totale të benzinës, përfshirë taksat, mesatarja në BE është 1.84 euro për litër. Vendet më të shtrenjta janë Holanda (2.26 euro), Danimarka (2.18 euro), Gjermania (2.09 euro), Finlanda (1.96 euro) dhe Greqia (1.92 euro).
Në të kundërt, çmimet më të ulëta janë në Bullgari (1.33 euro), Maltë (1.34 euro), Qipro (1.42 euro), Slloveni (1.44 euro) dhe Sllovaki (1.52 euro). Në Turqi, çmimi është rreth 1.22 euro për litër.
Për diesel, taksat mesatare janë 0.87 euro për litër në BE dhe tejkalojnë 1 euro vetëm në Itali (1.04 euro) dhe Danimarkë (1.01 euro).

Në terma nominalë, më pak taksa paguhet në Bullgari (0.57 euro), Maltë (0.66 euro) dhe Qipro (0.66 euro).
Çmimet më të larta të diesel-it janë në Holandë (2.26 euro), Danimarkë (2.21 euro), Gjermani (2.15 euro), Finlandë (2.11 euro) dhe Itali (2.03 euro).
Ndërkohë, nivelet më të ulëta janë në Maltë (1.21 euro), Bullgari (1.44 euro), Slloveni (1.48 euro), Sllovaki (1.53 euro) dhe Qipro (1.59 euro).
Politikat fiskale dhe mjedisore
Sipas Tax Foundation, taksat mbi karburantin përfshijnë shpesh edhe tarifa mjedisore në shumë vende të BE-së, të aplikuara për litër. Të paktën tetë shtete anëtare përfshijnë taksa mbi karbonin, energjinë apo tarifa të tjera mjedisore në akcizë.
BE vendos një nivel minimal të akcizës, por shtetet anëtare mund të vendosin nivele më të larta sipas objektivave të tyre fiskale, mjedisore dhe ekonomike. Ndërkohë, kostot dhe marzhet në rafinim dhe shpërndarje ndikojnë gjithashtu në çmimet finale për konsumatorët, sipas Bankës Qendrore Evropiane./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

