Kuvendi i Shqipërisë ka rishpallur procedurën për përzgjedhjen e grupit të audituesve të pavarur që do të auditojnë llogaritë financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitet 2024–2025. Vendimi është marrë nga Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik në mbledhjen e datës 4 mars 2026, në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Sipas njoftimit, auditimi i llogarive financiare të KLSH kryhet nga një grup audituesish të pavarur, të përzgjedhur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe të miratuar më pas nga Kuvendi. Procedura është rishpallur për të identifikuar kandidaturat që plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale për të kryer auditimin e institucionit suprem të kontrollit financiar publik në vend.
Në këtë proces ftohen të shprehin interes audituesit ligjorë, si persona fizikë ashtu edhe shoqëri audituese. Kandidatët duhet të kenë ushtruar profesionin e audituesit ligjor për të paktën pesë vitet e fundit, të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të jenë të regjistruar në regjistrin publik aktiv të audituesve ligjorë. Një tjetër kriter është që ata të mos kenë të afërm në marrëdhënie pune pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të mos kenë qenë të angazhuar si auditues për kompani me kapital shtetëror mbi 50% që kanë qenë objekt auditimi nga KLSH gjatë periudhës që përfshin auditimin e këtij institucioni. Gjithashtu kërkohet përvojë në auditimin ligjor të njësive ekonomike me interes publik.
Të interesuarit duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë sekretarisë së Kuvendit brenda 30 ditëve nga publikimi i njoftimit, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është data 3 prill 2026. Dokumentacioni përfshin formularin e vetëdeklarimit, kopje të noterizuar të licencës profesionale, vërtetime nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar ose Bordi i Mbikëqyrjes Publike për eksperiencën dhe mungesën e masave disiplinore, certifikatën e gjendjes gjyqësore, si dhe dokumente që vërtetojnë se subjekti nuk është në proces falimentimi dhe nuk ka detyrime të papaguara ndaj administratës tatimore dhe pushtetit vendor.
Pas përfundimit të afatit të aplikimit, shërbimet e Kuvendit do të kryejnë verifikimin paraprak të dokumentacionit. Më pas, Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik do të hartojë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale dhe do t’ia përcjellë Komisionit për Ekonominë dhe Financat për përzgjedhjen përfundimtare.
Shpërblimi i grupit të audituesve të pavarur do të mbulohet nga fondet buxhetore të Kuvendit. Pagesa përcaktohet në kontratën e shërbimit dhe jepet në masë mujore, duke mos qenë më e ulët se 80% dhe as më e lartë se 150% e pagës mujore të këshilltarit të komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Auditimi i llogarive të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga auditues të jashtëm konsiderohet një mekanizëm i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe llogaridhënies financiare të institucionit që mbikëqyr përdorimin e fondeve publike në Shqipëri. /ekofin.al

