Pasi e mbylli muajin e parë të vitit me një forcim të beftë, duke kaluar madje edhe mbi “kufirin psikologjik” të 100 lekëve, Euro ka shënuar sërish rënie në kuotimin e parë në tregun e këmbimit për këtë muaj shkurt.
Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane u këmbye këtë të hënën me 99.32 lekë, duke humbur gati 0.5 pikë, krahasuar me kursin e të premtes së javës së kaluar.
Ky zhvlerësim i monedhës evropiane konfirmoi se vlerësimi i saj në fund të muajit janar ishte thjesht momentan, për shkak se operacioneve të bankave tregtare për blerje eurosh për llogari të klientëve të tyre, ose për kapital rregullator. Gjithashtu, një nga arsyet që mendohet se mund të ketë sjellë ndikim në vlerësimin e shpejtë të monedhës evropiane ishte hedhja e një sasie të madhe lekësh në qarkullim, si pasojë e faturave të paguara në masë nga Buxheti i Shtetit, kryesisht në 15-ditëshin e fundit të vitit të kaluar, si edhe përgjatë gjithë muajit janar.
Nëse Euro e ka nisur javën në rënie, dollari ka vijuar të vlerësohet ndaj lekut, kjo edhe si reflektim i forcimit të tij në tregjet ndërkombëtare, pasojë e politikave që po ndjek administrata e re e presidentit Trump. Dollari u këmbye këtë të hënën me 96.97 lekë, duke u vlerësuar me 0.83.
Vlerësim në kursin e këmbimit, edhe pse më të lehtë, ka njohur në këtë fillim jave edhe franga zvicerane, ndërsa paundi britanik shënoi një lëvizje shumë të lehtë në rënie, krahasuar me këmbimin e mbylljes së javës dhe muajit janar. /ekofin.al