Valutat e huaja kryesore kanë fituar terren ndaj lekut për të dytën ditë rradhazi në këtë javë. Dollari amerikane ka shënuar forcimin më të ndjeshëm dhe kjo vjen në vijimësi të javës së inaugurimit të Presidentit Donald Trump dhe veprimeve të para të ndërmarra prej tij, që kanë sjellë një forcim të monedhës amerikane në përgjithësi në tregjet ndërkombëtare.
Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme monedha amerikane është këmbyer me 94.64 Lek, me një rritje prej +0.68 krahasuar me një ditë më parë.
Vihet re se edhe Euro është forcuar më tej sot, duke arritur në 98.75 Lek në kursin zyrtar të këmbimit të BSH, pasi e kishte nisur javën me një tjetër forcim ndaj Lekut. Që kur kishte zbritur poshtë kufirit psikologjik të 100 Lekë në korrik të vitit të kaluar, Euro nuk kishte shfaqur një rimëkëmbje të tillë. Nëse vijon forcimin me këto ritme, monedha evropiane pritet të ngjitet sërish mbi kuotën e 100 Lekëve.
Forcim ka shënuar edhe paundi britanik, i këmbyer këtë të martë me 117.79 Lekë, si edhe franga zvicerane, e cila është këmbyer me 104.55 Lekë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë ecuria e kësaj jave në kursin e këmbimit, për të vlerësuar nëse lëvizjet e dy ditëve të parë ishin momentale, apo ka një tendencë të zhvlerësimit të Lekut dhe forcimit të valutave të huaja. /ekofin.al

