Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndjeshëm ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2025, duke blerë në total 1.027 miliardë euro, një shifër rekord që reflekton përpjekjet për të menaxhuar presionet mbi kursin e këmbimit, por ndërkohë duke forcuar më tej edhe rezervat valutore. Nga kjo shumë, 297.9 milionë euro janë blerë përmes ankandeve të planifikuara, ndërsa 729.1 milionë euro janë ndërhyrje jashtë radhe, të diktuara nga nevoja për të frenuar zhvlerësimin e euros dhe për të stabilizuar tregun.
Vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2025, Banka e Shqipërisë zhvilloi pesë ankande për blerjen e valutës, ku u përthithën 67.6 milionë euro, një nivel më i ulët krahasuar me tremujorët pararendës, por në linjë me strategjinë e shpërndarjes së ndërhyrjeve gjatë vitit. Krahas tyre, ndërhyrjet direkte në treg vijuan paralelisht, duke reflektuar një politikë aktive për të zbutur luhatjet e kursit në një periudhë kur leku ka vijuar të mbetet i fortë ndaj euros.
Në total, gjatë vitit 2025, blerjet përmes ankandeve arritën në 297.9 milionë euro, në rritje krahasuar me 283.8 milionë euro në vitin 2024. Megjithatë, pesha kryesore e ndërhyrjeve mbetet ajo jashtë ankandeve, që lidhet drejtpërdrejt me menaxhimin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin financiar.
Këto zhvillime tregojnë qartë se politika monetare e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2025 nuk është kufizuar vetëm në instrumentet tradicionale, por ka përdorur në mënyrë aktive edhe ndërhyrjet në tregun valutor për të balancuar ofertë-kërkesën për valutë. Forcimi i lekut, i nxitur nga hyrjet e larta të valutës nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, ka krijuar nevojën për ndërhyrje të vazhdueshme për të shmangur një mbiçmim të shpejtë që do të dëmtonte më tej eksportet.
Në këtë kuadër, kalendari i vitit 2026 sinjalizon një angazhim edhe më të madh të Bankës së Shqipërisë. Numri i ankandeve pritet të rritet në 26 nga 22 që ishin në vitin 2025, ndërsa në disa prej tyre edhe shuma e blerjes do të rritet në intervalin 6–12 milionë euro, nga 5–10 milionë euro më parë. Objektivi total për vitin 2026 është ambicioz: 330 deri në 450 milionë euro blerje përmes ankandeve, çka sugjeron se presionet mbi kursin e këmbimit pritet të vijojnë të jenë të forta. /ekofin.al
