Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar një rregullore të posaçme për zbatimin e rregullave të konkurrencës në transportin hekurudhor, rrugor dhe ujor të brendshëm, duke përcaktuar se cilat marrëveshje mes operatorëve i nënshtrohen kontrollit dhe në cilat raste bashkëpunimi ndërmjet tyre mund të përjashtohet nga ndalimet e ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Rregullorja, e cila hyn në fuqi menjëherë, është hartuar në përputhje me parimet dhe strukturën e Rregullores së Bashkimit Europian nr. 169/2009 për zbatimin e rregullave të konkurrencës në transportin hekurudhor, rrugor dhe ujor të brendshëm. Ajo do të zbatohet deri në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur parashikohet shfuqizimi i saj.
Nën kontroll marrëveshjet për tarifat dhe ndarjen e tregut
Fusha e zbatimit është e gjerë dhe përfshin marrëveshjet, vendimet dhe praktikat e bashkërenduara mes ndërmarrjeve që kanë si objekt ose pasojë përcaktimin e tarifave dhe kushteve të transportit, kufizimin apo kontrollin e ofrimit të shërbimeve, si dhe ndarjen e tregjeve të transportit.
Në të njëjtin kuadër përfshihen marrëveshjet që lidhen me përmirësimet teknike, bashkëpunimin teknik, financimin ose blerjen e përbashkët të pajisjeve dhe furnizimeve të transportit, kur këto operacione lidhen drejtpërdrejt me ofrimin e shërbimeve.
Rregullorja zbatohet gjithashtu ndaj abuzimit me pozitën dominuese në tregun e transportit dhe shtrihet edhe te aktiviteti i ofruesve të shërbimeve ndihmëse të transportit, kur veprimtaria e tyre ka objekt ose pasoja të tilla.
Kur lejohet bashkëpunimi mes operatorëve
Një pjesë e rëndësishme e rregullores përcakton rastet kur marrëveshjet mes operatorëve për bashkëpunim teknik nuk i nënshtrohen ndalimit të përgjithshëm të marrëveshjeve kufizuese të konkurrencës, të parashikuar nga neni 4 i ligjit.
Përjashtimi zbatohet, ndër të tjera, kur bashkëpunimi ka si objekt standardizimin e pajisjeve, furnizimeve, automjeteve ose instalimeve fikse.
Operatorët mund të bashkëpunojnë gjithashtu për shkëmbimin ose grumbullimin e stafit, pajisjeve, automjeteve apo instalimeve fikse, kur kjo bëhet për qëllime të ofrimit të shërbimeve të transportit.
Rregullorja lejon edhe organizimin e operacioneve të transportit të njëpasnjëshëm, plotësues, zëvendësues ose të kombinuar. Në këto raste mund të përcaktohen dhe zbatohen tarifa dhe kushte gjithëpërfshirëse për operacionet përkatëse, përfshirë edhe tarifa të posaçme konkurruese.
Një tjetër përjashtim lidhet me përdorimin e rrugëve që janë më racionale nga pikëpamja operative për udhëtimet që realizohen me një mënyrë të vetme transporti.
Lejohet koordinimi i orareve
Operatorët mund të koordinojnë edhe oraret e transportit për rrugët lidhëse, si dhe të bëjnë grupimin e dërgesave individuale.
Gjithashtu, mund të vendosen rregulla uniforme për strukturën e tarifave dhe kushtet e zbatimit të tyre. Por rregullorja vendos një kufi të qartë: këto rregulla uniforme nuk duhet të përcaktojnë vetë tarifat dhe kushtet konkrete të transportit.
Në këtë mënyrë, kuadri i ri bën dallimin mes koordinimit teknik, që mund të jetë i nevojshëm për funksionimin më efikas të transportit, dhe marrëveshjeve që mund të përdoren për të përcaktuar çmimet apo për të kufizuar konkurrencën në treg.
Përjashtime edhe për grupimet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
Rregullorja krijon një regjim të veçantë edhe për grupimet e ndërmarrjeve të transportit rrugor dhe ujor të brendshëm.
Nga ndalimi i ligjit mund të përjashtohen marrëveshjet, vendimet dhe praktikat e bashkërenduara që synojnë krijimin dhe funksionimin e grupimeve të operatorëve për kryerjen e aktivitetit të transportit.
Përjashtimi mund të zbatohet edhe për financimin ose blerjen e përbashkët të pajisjeve apo furnizimeve të transportit, me kusht që këto operacione të lidhen drejtpërdrejt me shërbimet e transportit dhe të jenë të nevojshme për funksionimin e përbashkët të grupimit.
Kufiri: 10 mijë tonë për transportin rrugor
Megjithatë, për të përfituar nga ky përjashtim, grupimet duhet të qëndrojnë brenda kufijve të përcaktuar shprehimisht në rregullore.
Në transportin rrugor, kapaciteti total mbajtës i një grupimi nuk mund të jetë më shumë se 10 mijë tonë, ndërsa në transportin ujor të brendshëm kufiri vendoset në 500 mijë tonë.
Kufizime vendosen edhe për madhësinë e secilit operator pjesëmarrës. Kapaciteti individual i një ndërmarrjeje që i përket grupimit nuk mund të kalojë 1 mijë tonë në transportin rrugor dhe 50 mijë tonë në transportin ujor të brendshëm.
Përcaktimi i këtyre tavaneve synon që përjashtimi të përdoret për bashkëpunimin mes operatorëve me kapacitete të kufizuara dhe jo për krijimin e strukturave që, përmes bashkimit të kapaciteteve, mund të cenojnë konkurrencën në treg.
Autoriteti mund të ndërhyjë edhe kur marrëveshja është e përjashtuar
Përfitimi nga përjashtimet nuk është absolut. Autoriteti i Konkurrencës ruan të drejtën të ndërhyjë nëse zbatimi konkret i një marrëveshjeje, vendimi ose praktike të bashkërenduar sjell pasoja që nuk janë në përputhje me kushtet e përcaktuara nga neni 5 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Në një rast të tillë, Autoriteti mund t’u kërkojë me vendim ndërmarrjeve ose shoqatave të ndërmarrjeve që t’u japin fund pasojave të konstatuara.
Rregullorja e re krijon kështu një kuadër specifik për një sektor ku bashkëpunimi teknik mes operatorëve është shpesh i domosdoshëm, por ku marrëveshjet për tarifat, kufizimin e shërbimeve apo ndarjen e tregjeve mund të cenojnë konkurrencën.
Në terma konkretë, operatorëve u krijohet hapësirë për koordinim teknik, përdorim të përbashkët të kapaciteteve dhe pajisjeve apo organizim të integruar të transportit, ndërsa Autoriteti ruan kompetencën për të ndërhyrë kur këto forma bashkëpunimi kalojnë kufijtë e lejuar dhe prodhojnë pasoja antikonkurruese. /ekofin.al

