Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot masat e marra me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimin e mbarëvajtjes së ndeshjes miqësore të futbollit Shqipëri–Jordani, e cila do të luhet sot, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Policia bën të ditur se do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit, në disa akse rrugore përreth stadiumit.
Konkretisht, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të kufizohet qarkullimi në: Rrugën “Dervish Hima”; rrugën “Gjergj Filipi”; segmentin pranë Hotel “Marriott”, që lidhet me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rrugët anësore përreth stadiumit, përfshirë kahun nga Hotel “Sheraton”.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar kufizimet, si dhe iu bën thirrje të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse.
Gjithashtu, apeli për tifozët dhe sportdashësit që do të ndjekin ndeshjen është që t’iu binden udhëzimeve të punonjësve të Policisë, me qëllim mbarëvajtjen e aktivitetit dhe garantimin e sigurisë.

