Qeveria ka miratuar kuadrin makroekonomik e fiskal për periudhën 2026–2028, i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Sipas Kuadrit, rritja ekonomike parashikohet në normën 3.9 për qind për vitin 2025 dhe përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2026– 2028 parashikohet mesatarisht rreth 4.0 për qind në vit. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.0, 3.9 dhe 4.1 për qind respektivisht për vitet 2026, 2027 dhe 2028. Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.
Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport-import) pritet të ketë një efekt pozitiv. Konsumi privat parashikohet të jetë sërish nxitësi kryesori rritjes së PBB-së, stimuluar kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimi në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave, të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, veçanërisht pas rikthimit në nivelet normale të inflacionit gjatë vitit 2024.
Investimet private pritet të nxiten nga përmirësimi i kushteve financiare dhe lehtësimi i kredisë. Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme (2026–2028) parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 3.0 për qind në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.5 pikë përqindjeje në vit në rritjen e PBB-së. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten mesatarisht në rreth 4.6 për qind në vitet 2026–2028, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.1 pikë përqindjeje në vit.
Kërkesa e huaj neto pritet të ketë një kontribut pozitiv të moderuar në periudhën afatmesme. Sa u takon më specifikisht komponentëve të kërkesës së huaj neto, eksportet e mallrave dhe shërbimeve për periudhën 2026–2028, parashikohen të rriten me mesatarisht rreth 4.8 për qind në vit në terma realë, me një kontribut mesatar pozitiv prej rreth 1.9 pikë përqindjeje në vit në rritjen e PBB-së.
Ndërsa importet e mallrave dhe shërbimeve për këtë periudhë afatmesme parashikohen të zgjerohen me mesatarisht rreth 3.2 për qind në vit me një kontribut mesatar negativ në rritjen e PBB-së me rreth 1.5 pikë përqindjeje në vit. Rrjedhimisht, në terma neto kërkesa e huaj parashikohet të ketë një kontribut të moderuar pozitiv në rritjen totale të PBB-së me mesatarisht rreth 0.4 pikë përqindjeje në vit.
Po kështu, ndërtimi me rritje mesatare vjetore prej rreth 3.2 për qind dhe kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.4 pikë përqindjeje; shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.0 për qind dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.5 pikë përqindjeje.
Sa i përket inflacionit, supozohet se do të rikthehet drejt targetit të tij prej 3 për qind gjatë vitit 2025 dhe do të qëndrojë rreth këtij niveli për periudhën afatmesme 2026–2028.
Të ardhurat totale të buxhetit për tre vitet në vijim (2026–2028) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 5.3 për qind në çdo vit. Më specifikisht: 5.5 për qind për vitin 2026, 6.2 për qind për vitin 2027 dhe 4.2 për qind për vitin 2028. Ndërsa të ardhurat tatimore për këtë periudhë parashikohen me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.4 për qind.
Ndërsa burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2026–2028 pritet të jenë mesatarisht në rreth 885.8 miliardë lekë në çdo vit ose mesatarisht rreth 30.6 për qind e PBB-së. Investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5.9 për qind të PBB-së në çdo vit./ekofin.al
