Shqipëria ka 97,7 burra për çdo 100 gra, duke regjistruar raportin më të afërt me barazinë numerike mes dy gjinive, krahasuar me pesë vendet e tjera të rajonit. Sipas të dhënave të vitit 2025 të Divizionit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara, në të gjitha vendet e krahasuara gratë janë më të shumta në numër se burrat, por diferencat ndryshojnë ndjeshëm.
Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 96,8 burra për çdo 100 gra, ndërsa Maqedonia e Veriut ka një raport prej 94,8 burra për 100 gra. Diferenca është më e theksuar në Kroaci, ku regjistrohen 93,3 burra për 100 gra, dhe në Mal të Zi, me 92,9 burra.
Serbia ka raportin më të ulët mes gjashtë vendeve, me vetëm 90,1 burra për çdo 100 gra. Kjo do të thotë se për çdo 100 gra, në Serbi ka 9,9 burra më pak, ndërsa në Shqipëri diferenca është vetëm 2,3 burra.
Të dhënat tregojnë se, megjithëse gratë përbëjnë shumicën e popullsisë në të gjitha këto vende, Shqipëria dhe Kosova kanë një përbërje më të balancuar sipas gjinisë, ndërsa në Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci mbizotërimi numerik i grave është më i dukshëm.
Sa burra ka për çdo 100 gra në rajon (2025)

Në botë, diferencat arrijnë në më shumë se dy burra për çdo grua
Në shkallë globale, dallimet janë shumë më të mëdha. Bazuar në të dhënat e OKB-së për vitin 2025, tregon se në disa vende burrat janë më shumë se dyfishi i grave, ndërsa në të tjera gratë përbëjnë një shumicë të konsiderueshme të popullsisë.
Katari ka raportin më të lartë në botë, me 245,9 burra për çdo 100 gra. Pas tij renditen Emiratet e Bashkuara Arabe, me 176 burra për 100 gra, dhe Omani, me 166 burra.
Në skajin tjetër ndodhet Hong Kongu, ku regjistrohen vetëm 81,8 burra për çdo 100 gra. Më pas renditen Guadeloupe, me 82,4 burra, dhe Martinique, me 82,9 burra për 100 gra.
Moldavia dhe Rusia janë gjithashtu ndër vendet ku mbizotërimi numerik i grave është më i theksuar, me më pak se 87 burra për çdo 100 gra.
Në përgjithësi, Europa dhe një pjesë e madhe e Amerikës Latine kanë popullsi ku gratë janë më të shumta se burrat. Në të kundërt, Azia Jugore, disa pjesë të Azisë Lindore dhe Lindja e Mesme karakterizohen nga një raport më i lartë i burrave ndaj grave. /ekofin.al
