Migrantët e kthyer në Shqipëri shpesh përballen me ndryshime të dukshme sektoriale dhe profesionale pas rikthimit, ndërsa këto lëvizje janë më të theksuara te ata që janë kthyer herët.
Të dhënat nga raporti mbi Migrimin Ndërkombëtar në Shqipëri 2024 tregojnë se kthimi i parakohshëm shoqërohet më shpesh me ndërprerje në vijimësinë profesionale dhe me një përputhje më të dobët midis punës së kryer jashtë vendit dhe asaj pas rikthimit në Shqipëri.
Në veçanti, tek migrantët që nuk u kthyen herët, rreth 42 për qind kanë kaluar në një sektor të ndryshëm nga ai ku punonin jashtë dhe 43 për qind kanë ndryshuar profesionin, çka sinjalizon tranzicione më të shpeshta dhe shpeshherë ndërprerje në karrierë. Megjithatë, ky grup shfaq edhe një shkallë më të lartë përputhjeje relative krahasuar me kthyesit e hershëm, të cilët raportojnë ndryshime edhe më të mëdha.
Në aspektin e nivelit të aftësive, diferencat mes grupeve janë domethënëse. Rreth 9 për qind e migrantëve që nuk u kthyen herët deklarojnë se kishin punë me nivel më të lartë aftësish jashtë vendit sesa pas rikthimit, ndërsa vetëm 2 për qind e kthyesve të hershëm raportojnë një situatë të tillë. Kjo sugjeron se kthimi i parakohshëm lidhet më shpesh me pozicione me aftësi më të ulëta jashtë vendit dhe me kalime laterale drejt profesioneve me nivel të ngjashëm aftësish në Shqipëri, pa një përmirësim të dukshëm të profilit profesional.
Nga ana tjetër, sa i përket formalizimit të marrëdhënieve të punës, migrantët e kthyer dhe jo-migrantët paraqesin nivele relativisht të larta dhe mjaft të ngjashme. Një pjesë e vogël e të dyja grupeve kanë kontrata me afat të kufizuar: 16 për qind e meshkujve dhe 17 për qind e femrave të kthyer, kundrejt 13 për qind të meshkujve dhe 12 për qind të femrave jo-migrante.
Kontratat e shkruara mbeten normë për shumicën, duke reflektuar marrëdhënie pune më afatgjata: 83 për qind e meshkujve të kthyer dhe 76 për qind e femrave të kthyer raportojnë kontratë të shkruar, krahasuar me 83 për qind të meshkujve dhe 86 për qind të femrave jomigrante. Në këtë kontekst, gratë jo-migrante dallohen për shkallën më të lartë të kontratave të shkruara, ndërsa femrat e kthyera mbeten disi pas, duke sinjalizuar se barrierat gjinore ndaj punësimit formal mund të jenë më të theksuara për gratë pas rikthimit në vend. /ekofin.al

