Kryeministri vlerësoi sot progresin e bërë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke theksuar se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka hyrë në një fazë funksionale pas shumë vitesh problematikash.
“Administrimi i pasurive të sekuestruara më në fund mbas nuk e di se sa vitesh, më në fund ka filluar të bëjë sens. Ka filluar të bëjë sens dhe këtu është merita e ministrit dhe merita e drejtoreshës, pastaj merita e ministrit në sensin që i dha vëmendjen e duhur më në fund mbas kaq vitesh një njësi administrimi i aseteve të sekuestruara që funksiononte si njësi riciklimi për të sekuestruarit,” u shpreh Kryeministri.
Ai kujtoi se për vite të tëra, njësia e administrimit të pasurive funksiononte në mënyrë të gabuar: “Ua merrnin nga njëra anë me 1001 përpjekje dhe me 1001 halle ata që janë në luftë në front atje me krimin dhe pastaj kjo njësi ua jepte me çmim të arsyeshëm mbrapsht, i blinin nga Ministria e Brendshme për 5 lek dhe Policia e Shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur, ndërkohë që kriminelët ri merrnin pallatet, ato pallate i them, “palace” i thonë francezët, vilave të ekzagjeruar, që fare mirë mund të ishin komisariate policie.”
Kryeministri solli në vëmendje edhe gjendjen e trashëguar prej dekadash me fusha të tëra të mbushura me automjete, motorë e karroca të sekuestruara si prova, duke e cilësuar si një ndotje të rëndë mjedisore. “Pas 35 vitesh, po pastrohet Shqipëria nga disa tumore të tmerrshme. Numri i shapkave të mbledhura si prova është i lemeritshëm, aq sa mund të vishnim me to pastrueset e gjithë Ballkanit,” tha ai.
Sipas Kryeministrit, ndërhyrjet e fundit dhe ristrukturimi i AAPSK po sjellin rezultate konkrete: “U desh vetëm vëmendje dhe strukturim i punës, dhe sot po çlirohen qytetet nga këto burime kancerogjene. Shqipëria po tregon se asetet e sekuestruara nuk kthehen më mbrapsht, por i shërbejnë interesit publik.” /ekofin.al
